Atentati në Vlorë me silenciator, flet Marion Mitro: Më qëlluan pas shpine

Marion Mitro, ish anëtari i bandës së tritolit në Vlorë, që mbeti i plagosur në një atentat, ka deklaruar në polici se nuk i pa njerëzit që tentuan ta ekzekutojnë pasi u qëllua pas shpine.

49 vjeçari ka zbuluar edhe rrengun që me gjasë i shpëtoi jetën.

Isha duke ecur me kurriz dhe nuk i pashë personat që qëlluan. Pas sulmit, qëndrova i shtrirë derisa personat u larguan me makinë. Nuk kam pasur asnjë konflikt dhe se nuk di pse me sulmuan”, ka thënë ai.

Mitro u qëllua dy herë, ku një plumb e mori në krah dhe një e gërvishti në kokë, ndërsa dyshimet janë se u përdor pistoletë me silenciator.

Lëvizja e tij duke qëndruar shtrirë duket se u ka dhënë autorëve idenë se e kishin vrarë ndaj janë larguar me shpejtësi dhe e dogjën makinën në Selenicë.

Brenda mjetit të shkrumbuar që rezultoi i vjedhur, policia sipas burimeve nuk gjeti armë apo municione, ndërsa gjurmët i ka fshirë zjarri.

Skema e përdorur, përforcon dyshimin se atentati ishte i mirë organizuar dhe dyshohet i porositur.

Rreth 15 persona  u shoqëruan dhe u morën në pyetje në polici në cilësinë e dëshmitarit apo personit në dijeni.

Grupi hetimor ndërkohë po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit ku u sulmua 49 vjeçari Mitro, por sipas burimeve asnjë nuk ka fushëpamje të qartë, ç'ka mund të ndihmojë në ndërtimin e një identiteti të autorëve.

Marion Mitro ka qenë pjesë e grupit të Julian Sinanajt dhe është dënuar me 8 vite burg për tre vite dhe tre akuza.

Ai dyshohet se ka porositur atentatin e mbetur në tentativë ndaj ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, që u zbulua para kryeministrisë.

Lexo edhe: Detaje të reja nga atentati ndaj anëtarit të “Grupit të Tritolit”/ Asnjë gjurmë në makinë, shoqërohen 10 persona