Investimi i Ndraghetas, analisti sjell shembullin e Kolumbisë: Nuk ka zhvillim përmes parave të krimit
Në një intervistë për Ora News, analisti Gjergji Erebara, tha se nuk ka asnjë shans që vendi të zhvillohet përmes parave të krimit. Për ta konkretizuar këtë, ai përmendi shembullin e Kolumbisë, e cila edhe pse përmban organizata të shumta kriminale, vijon të jetë një vend jo shumë i zhvilluar.
"Nuk ka asnjë shans që një vend të zhvillohet me paratë e krimit. Kolumbia është një vend që ka shitur drogë me tonelata, në një pikë të caktuar organizatat kriminale të Kolumbisë i thanë qeverisë së vet, na fal burgun për krimet që kemi bërë dhe ne të paguajmë borxhin e jashtëm. Është njësoj sikur të ngrihet Ndragheta tani dhe të thotë, unë dua ta adoptojë Shqipërinë si vend, dua të bëhem shtetas shqiptar dhe t'i paguaj Shqipërisë 6 miliardë euro borxh të jashtëm që të na lënë rehat në Shqipëri.
Po ta keni parasysh, Kolumbia është një vend shumë i keq, njerëzit janë shumë të varfër, kriminaliteti është shumë i lartë, njerëzit kanë frikë me dalë nga shtëpia, ka grupe terroriste, ka bomba që shpërthejnë. Nuk ka asnjë shpresë për zhvillimin e vendit përmes parave të krimit, ky është koncept shumë i gabuar. Ajo që e çon përpara vendin është puna normale e qytetarëve të vend, jo paratë e krimit", tha Erebara.