Padia në SPAK, Shabani: Veliaj të na tregojë që në Tiranë nuk po pastrohen paratë e krimit
Nisma Thurje paditi ditën e sotme në SPAK kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj duke kërkuar hetimin e tij pas publikimeve në media të përgjimeve të Antimafias italiane.
Sipas padisë, prokuroria duhet të hetojë dhe të zbardhë të vërtetën lidhur me bisedat ku personazhe të botës së krimit flisnin në lidhje me pazaret për lejet e ndërtimit në Tiranës.
I ftuar në RTV Ora, kreu i lëvizjes, Endri Shabani ka shpjeguar arsyet që i çuan drejt këtij veprimi.
Endri Shabani: Kjo është padia e pestë ndërsa ky është I padituri numër 1001. SPAK duhet së paku të tregojë që nuk është këtu, gjithë ky investim, gjithë kjo pritshmëri e madhe popullore, për të na treguar përralla “1001 netë”, por nga këta 1001 të arrestojnë 1 zyrtar të lartë. Që ti japin mesazhin qytetarëve që drejtësia e re nuk vazhdon me avazin e vjetër. Prandaj ne çuam sot këtë çështje me bindjen e plotë se nuk do çojmë asnjë çështje në SPAK nëse ata nuk fillojnë nga çështja e parë që ne kemi çuar deri tek çështja e fundit.
Ne kërkojmë të kuptojmë nëse kryetari i bashkisë, i cili përfaqëson dhe drejton qytetin e Tiranës, ka dijeni që këtu, në këto gradaçela që po ndërtohen, pastrohen paratë e grupeve kriminale. Ne duhet ta dime këtë. Dhe Kodi i Procedurës Penale e ngarkon prokurorin, në këtë rast SPAK-un, që ta nisë hetimin kryesisht. Pra nuk ka nevojë as për kallëzimin tonë. Në momentin që Prokuroria e një vendi fqinj heton për pastrimin e parave në Shqipëri duhet të vihet në lëvizje. Dhe kjo është ajo që ne kërkojmë sot. Ne kërkojmë nga SPAK të zbulojë të vërtetën, çfarë përgjegjësie, çfarë informacioni, çfarë dijenie ka patur kryetari i bashkisë dhe gjithë zyrtarët e tjerë. Pse?
Këtu po ndërtohen gradaçela dhe ka raporte të ndryshme në media. Monitor pat nxjerrë një raport të një organizate ndërkombëtare, e cila thoshte që rreth 60% e kompanive që kanë marrë leje ndërtimi nuk kanë patur zyrtarisht para për të ndërtuar.
Beti Njuma: Dhe dyshohet për 1.6 miliard euro të pajustifikuara, që nuk kanë kaluar në kanale të rregullta bankare.
Endri Shabani: Si mund të flerë SPAK mbi këto?
Lexo edhe:
Thurje kallëzon Veliajn në SPAK, Shabani: Kemi sjellë dylbi për të parë ujkun