Përmbytje dhe dëborë, në Shkodër, Lezhë dhe Durrës mijëra metra tokë nën ujë
Në ultësirën perëndimore përmbytje e në verilindje probleme nga bora e temperaturat e ulta.
Moti i keq po krijon vështirësi në vend.
2315 ha tokë janë nën ujë në Bashkinë Shkodër dhe 880 hektarë në Lezhë, ku problem mbetet rrëshqitja e dherave, fenomen që rrezikon banesa edhe në Gjirokastër e Librazhd.
Në Durrës, rreth 400 shtëpi raportohen të rrethuara ose me prani uji, kryesisht në fshatrat e Sukthit, sikurse qindra hektarë tokë pas daljes nga shtrati të Lumit Erzen!
Vjosa arriti nivel kritik 7.5 metra në Mifol, duke detyruar evakuime gjatë natës, ndërsa dita nxori në pah përmbytjet në toka e biznese
Reshjet e dëborës rikthyen problemet në verilindje e verri.
Rreth 20 fshatra në Dibër u bllokuan për shkak të rrëshqitjes së dherave në aksin Peshkopi-Kukës.
Shembja e gurëve pranë Krastës, paralizoi për disa orë qarkullimin e automjeteve në drejtim të Burrelit apo Bulqizës.
Probleme kishin edhe rrugët Bajram-Curri-Valbonë, Ura e Zapodit-Shishtavec, dhe Kukës-Shishtavec, dhe Kukës-Kalimash.
Rruga e Dardhës në Korçë ishte e kalueshme me zinxhirë një pjesë të saj, sikurse në aksin Librazhd-Stebleve.
Në Kukur të Gramshit, katër shkolla u mbyllën, sikurse edhe në Dukagjin nga ku vjen kjo video amatore që tregon mundimin e një prindi për të dërguar fëmijët në shkollë.
Në shumë zona të vendit pati raportime për probleme me furnizimin me energji elektrike.