Rihetimi i dosjes së 21 janarit, Sokolaj: Dyshoj se po gjykohet politikisht

Drejtori i Departamentit të Informacionit të Ora Neës, Trashgim Sokolaj për RTV Ora ka dënuar faktin që kërkesa e policisë për rihetim të dosjes së 21 janarit është bërë publik nga një deputet i PS.

Sokolaj ka thënë se ka dyshime se kjo çështje do të hetohet politikisht, ndërkohë që shton se Kodi i Procedurës Penale parashikon që një çështje rigjykohet dhe rijetohet vetëm në momentin që ka prova apo dëshmitarë të rinj.

Sokolaj: Kjo ngjarje është rikthyer në skemën politike, kur nuk rikthehet nga policia apo Prokuroria, por elementë të politikës, sepse jam informuar sot që kërkesën e policisë ndaj prokurorisë, dje e ka publikuar një eksponent i mazhorancës, një deputet i PS. Nuk e kuptoj se me çfarë tagri ky deputet merr të dhëna për punën që bën policia dhe pastaj Prokuroria. Shpresoj që Prokuroria të marrë vendimin e duhur.

Është një çështje që ka interes publik të lartë, por dua të them që policia duket sikur ka bërë një veprim ose të urdhëruar politikisht ose do që t’i bëjë qejfin dikujt politikisht. Sepse provë nuk ka, dëshmitarë të ri nuk ka, elementë që nuk janë trajtuar më parë nuk ka. Kodi i Procedurës Penale në Shqipëri thotë që një çështje rigjykohet dhe rijetohet vetëm në momentin që në Prokurori ose para Gjykatës paraqitet një dëshmitar ose një provë që nuk ka qenë më parë. Argumenti ligjor është i diskutueshëm dhe duke mos ekzistuar ky, duhet të kalojmë në pjesën politike. Kam dyshime që do të kthehet politike.