Tomorr Alizoti prezantohet në Berat, Xhelal Mziu prezantohet në Dibër: Asnjë shans për tjetërsim vote

Pasi morën bekimin e Lulzim Bashës, Xhelal Mziu dhe Tomorr Alizoti u prezantuan si drejtues politik në Berat e Dibër, ku shpallën edhe objektivat. Xhelal Mziu tha se synim janë katër mandate dhe parandalimi i çdo tentativë për tjetërsimin e votës.

Një ditë pasi u zyrtarizua si drejtues politik i PD për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu nisi takimet me strukturat duke shpalosur objektivin për 25 prillin.

"Qëllimi im kryesor është menaxhimi politik i fushatës në qarkun e Dibrës dhe jam besimplotë se do ta kurorëzoj me sukses me 25 prill".

Ish-kryebashkiaku i Kamzës tha se me angazhimin e strukturave të PD, do të mbyllet çdo hapësirë për tjetërsimin e votës.

"Jam i bindur që nuk do ti lëmë asnjë lloj hapësire kësaj qeverie kriminale për ta tjerësuar votën, për ta blerë votën, për ti terrorizuar njerëzit dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Mbetem besimplotë që në këtë qark do të marrim  katër nga pesë mandate që janë në dispozicion."

Në të njejtën ditë, Tomorr Alizoti u prezantua si drejtues politik i PD për qarkun e Beratit.

"Kam ardhur me gjithë energjitë dhe vendosmërinë. Mund të kemi gjatë rrugës, mërzitje, lodhje, është një betejë me një kastë 70-vjeçare që nuk ka hequr rrënjë nga Shqipëria, por prapë historia po na përball me të."

Nënkryetari Edi Paloka shoqëronte Xhelal Mziun në Shkodër, ndërsa Edmond Spaho ishte në krah të Tomorr Alizotit në Berat.