Vdekja e Major Jazaj, Peleshi komunikon me kontigjentin shqiptar në Afganistan: Jeni krenaria jonë

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka zhvilluar pak minuta më parë një komunikim përmes Skype me kontigjentin shqiptar që shërben në Afganistan.

Kjo vjen pak orë pas lajmit për ndarjen nga jeta të majorit Xhevahir Jazaj.

Peleshi u shprehu ngushëllimet e tij ushtarakëve, ndërsa i cilësoi ata krenarin e Shqipërisë në raport me aleatët e NATO-s.

Niko Peleshi: Largimi nga jeta i një ushtaraku, aq me tepër ne mision larg atdheut, është një ngjarje e dhimbshme për të gjithë. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Majorit Xhevahir Jazaj.

Para pak çastesh pata një komunikim të drejtpërdrejtë me kontingjentin shqiptar që shërben në Herat dhe Kabul. Ndava me ta ngushëllimet për humbjen e shokut te tyre dhe i sigurova se gjithë shqiptarët janë me mendje e me zemër pranë tyre.

Ata janë krenaria jone në raport me aleatet në NATO e partnerët tanë strategjike SHBA dhe BE me të cilët ndajmë sfida të përbashkëta të mbrojtjes kolektive, paqes dhe sigurisë.

Postimi i ministrit Peleshi në Facebook

45-vjeçari Xhevahir Jazaj, me gradë major, efektiv i Shërbimit Informativ Ushtarak, humbi jetën në Afganistan në rrethana ende të pasqaruara mirë nga Ministria e Mbrojtjes.

Ministria dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftuan se efektivi i FA humbi jetën të enjten rreth orës 22:40, sipas kohës lokale në Afganistan.

Në deklaratë thuhet se autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e  operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Xhevahir Jazaj është ushtaraku i dytë shqiptar humb jetën në Afganistan, pasi në shkurt 2012 u vra kapiten Feti Vogli në një pritë me armë në një fshat të Kandaharit dhe i katërti në misionet e NATO-s. Në 2019 ranë në krye të detyrës gjatë misionit në Letoni, major Klodian Tanushi dhe ushtarja Zarife Hasanaj.

Lexo edhe:

Ndërron jetë majori shqiptar me mision në Afganistan, nisin hetimet