Përplasja BE-Rama, kryeministri: Është fjala për të mbrojtur dinjitetin, ka pasur humbje në përkthim
Marrëveshja me Pfizer për vaksinën anticovid do të mbetet sekret jo vetëm për qytetarët por edhe për deputetët, të cilët të hënën votuan një akt normativ pa lexuar asnjë fjalë nga dokumenti. Vendimin e tij, Edi Rama gjatë bashkëbisedimit online me gazetarët, e justifikoj me sekretin tregtar.
"Kontrata me Pfizer është e mbrojtur në të gjithë botën nga sekreti tregtar nuk bëhet publike. Nëse ju do të gjeni një vend nga BE apo cilido vend tjetër që e ka bërë publike ne do të jemi vendi i dytë"
E fshehtë nuk do të mbetet vetëm marrëveshja për vaksinën, por qeveria nuk ka bërë publike as fondin e akorduar planin e vaksinimin. Pasi ndryshe nga ajo çfarë tha një ditë më parë në kuvend, që vaksina ka të njëjtin çmim të panegociueshëm për çdo vend, gjatë konferencës, kryeministri tregoi që modalitetet janë të ndryshe për çdo kontratë.
"Sipas negociatave ka metodalitete të ndryshme, jo për çmimin por për sasitë, kohën. Ne kemi kapacitetin të paguajmë të gjitha vaksinat që janë të nevojshme për popullin shqiptar"
Pavarësisht reagimit të ambasadorit të BE dhe ambasadës së Francës në Tiranë, Edi Rama nuk i heq asnjë presje qëndrimit të tij kritik ndaj BE për braktisjen e Shqipërisë për vaksinën anticovid
"Nuk është e vërtetë që u vendos të lihen jashtë në aksesin e vaksinim direkt vendet e rajonit? Fakti që ne jemi të vegjël nuk na mban ne që të qëndrojmë detyrimisht me gojë mbyllur. Këtu është fjala për të mbrojtur dinjitetin, nuk e kam gjuhën e nënës këtu për ta vënë në gjumë e kam për ta përdorur. Çfarë i kushton atyre që të vendosnin një shumë vaksinash për mjekët e infermierët e rajonit? Për çfarë dueht që ne të bëjmë operacione sekrete për të sjellë vaksina?"
Të turpshëm e ka cilësuar reagimin e opozitës, të cilët sipas Ramës mbrojtën BE-në nga kryeministri i tyre.
"Turp i madh, karakter i vogël i atyre që kur kanë pasur pushtetin i janë përulur atyre me servelizëm kujtdo që i ka folur me gjuhë të huaj. Unë nuk hy në këtë kategori. Ata mbrojnë tani BE nga unë, ata që nuk kanë lënë maskarallëk pa bërë për përfaqësuesit e BE këtu".
Gjatë kësaj konferencë kryeministri Rama duke folur për fiskalizimin, e cila i ka kushtuar shtetit 18 mln euro, u shpreh se duhet edhe një mandat i tretë për ta përmbyllur këtë proces. Gjatë 4 viteve të ardhshme Edi Rama u shpreh se nuk do të ketë as ulje dhe as ngritje taksash për biznesin, përveçse aty do të operojnë në një mekanizëm të plotë online.