Shkarkohen 25 punonjës, drejtori i Spitalit të Shkodrës përgënjeshtron lajmin: Është i pavërtetë

Laboratori i spitalit rajonal të Shkodrës po transferohet nën varësi të koncensionarit të miratuar nga qeveria që do të paguhet 13 mln lek për këtë shërbim. Por transferimi i varësisë u rrezikon vendin e punës 25 specialistëve atje, edhe pse Drejtori i spitalit thotë se ata kanë mundësinë të kalojnë në varësinë e privatit.

Në vitin 2019, qeveria shqiptare vendosi të japë me koncesion shërbimin e laboratorëve në spital.

Kontratën PPP u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive: Labopharma sh.p.k Exalab France dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.

Ajo parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë mbi 13 miliardë lekë ose rreth 104 milionë euro deri në vitin 2028.

Në vazhdimësi laborantët dhe mjekët e kanë kundërshtuar këtë projekt i cili së fundmi po zbatohet edhe në Shkodër ku sipas sindikatës së Shëndetësisë rrezikon të lërë 25 specialistë pa punë.

Drejtori i Spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti, nuk e përjashton mundësinë që kjo të ndodhë, por thotë se laborantët do të kenë një shans të kalojnë në varësinë e koncensionarit.              

Asnjë përfaqësues apo punëtor i angazhuar në çfarëdolloj cilësie mjek, laborant në laboratorin e Shkodrës nuk i është ndërprerë marrëdhënia financiare. Lajmi që lihen papunë punonjësit e laboratorit është i pavërtetë. Ne jemi në një proces që së shpejti do të fillojë privatizimi dhe dhënia me koncesion., por të gjithë punonjësve të laboratorit do t’u jepet mundësia që me punëdhënësin e ardhshëm të kenë mundësi për marrëdhënie pune. Pra asnjëri nuk do të largohet nga koncesionari. Me këtë dua të shuaj frikën se disa punëtorë do ikin apo do largohen, e do zëvendësohen me disa të tjerë që s’kanë lidhje me punën”, ka thënë Dajti.

Sipas kontratës, në Shkodër do të shtohet edhe anatomia patologjike, shërbim që nuk ofrohet që prej vitit 1997.