Reparti “Shqiponja” pa rregullore, efektivët nuk kalojnë në filtër para emërimit
Vrasja e Klodian Rashës dhe qindra denoncime nga qytetarët për sjelljen e efektivëve të repartit “Shqiponja” kanë ngritur shqetësim muajt e fundit për mënyrën e përzgjedhjes së efektivave në këtë strukturë.
Shkak është bërë mungesa e një rregulloreje apo një filtri të mirëfilltë për emërimin e punonjësve në repartin që është në varësi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Një punonjës policie mjafton të plotësojë disa kritere bazë në aspektin fizik dhe të ketë rezultate pozitive në dosjen e tij personale, për tu bërë pjesë e Forcës së Posaçme Lëvizëse Operacionale “Shqiponja”.
Rekrutimi i efektivëve brenda kësaj force, nuk kryhet sipas një rregulloreje të brendshme, ku të evidentohen kriteret e pranimit dhe nënshtrimit të një testimi.
Duket se gjithçka në procesin e përzgjedhjes apo largimit të një polici nga reparti “Shqiponja”, varet nga monitorimi që bëjnë zv/drejtori dhe drejtori i policisë së qarkut. Janë këta dy titullarë, që rekrutojnë aplikantët, duke vlerësuar kriterin e gjatësisë trupore, rezultatet në punë, përvojën gjatë shërbimit policor dhe masat disiplinore të marra gjatë detyrës.
“Ora News”, komunikoi në telefon me drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, i cili tregoi se ky institucion nuk ka një rregullore apo një udhëzim të shkruar, mbi përzgjedhjen e efektivave, të Forcës së Posaçme Lëvizëse Operacionale “Shqiponja”.
“…nuk ka një rregullore të shkruar që përcakton kriteret e përzgjedhjes së aplikantëve. Këta nuk janë si RENEA, që nevojiten kriteret. Kjo është një forcë e përbërë me policë të thjeshtë, të cilët merren nga komisariatet dhe bëhen pjesë e kësaj force. Sigurisht që ne si kriter vlerësojmë aspektin fizik, rezultatet në punë duke studiuar dosjen personale, periudhën e shërbimit në polici dhe masat disiplinore…”
Pas ngjarjes së 8 dhjetorit 2020, ku në zonën e “Laprakës”, u vra Klodian Rasha, me një plumb në zemër nga efektivi i “Shqiponjave”, Nevaldo Hajdaraj, Policia e Tiranës dhe sektori i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, kanë nisur një inspektim të hollësishëm të repartit “Shqiponja”.
Qëllimi është strukturimi i plotë i kësaj force. Në varësi të problemeve që do gjenden pritet që në ditët në vijim Ministria e Punëve të Brendshme të nxjerrë rregullore të qarta, duke vendosur kriteret mbi të cilat duhet të rekrutohet një efektiv policie në skuadrën “Shqiponja”.