Të tjera konfiskime për Becchettin, media holandeze: Biznesmeni kërkon sekuestron e “SHELL” dhe “ENI”

Pas vendimit të gjykatës së Arbitrazhit, e cila i vuri detyrim Shqipërisë t’i paguajë biznesmenit Francesco Becchetti 100 milionë euro, ky i fundit sipas medias holandeze ka kërkuar sekuestrimin e aksioneve të kompanisë gjigande Shell. Sekuestrime të tjera janë kërkuar edhe në Austri e Belgjikë.

Vazhdojnë konfiskimet e pasurive të Shqipërisë jashtë kufijve pas refuzimit të qeverisë për të paguar gjobën prej mbi 100 milionë euro kundrejt biznesmenit Italian Francesco Beçhetti, pavarësisht se ka një vendim të gjykatës së Arbitrazhit të Bankës Botërore në vitin 2019.

Këtë herë bëhet fjalë për shtetin holandez. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta e njohur financiare e këtij vendi FD, e cila sqaron se Beçhetti ka kërkuar në gjykatë sekuestrimin e aksioneve të Shqipërisë në kompaninë gjigante holandeze, Shell, e cila ka marrë kontrata koncesionare për kërkim nafte në vendin tonë.

Kërkohet gjithashtu nga gjykata sekuestrimi i pasurive të tjera shqiptare te një kompanie e quajtur ENI.

Për këtë Minsitria e Drejtësisë në Holandë ka deklaruar se shteti ka një detyrim bazuar në ligjin ndërkombëtar që të dalë në mbrojtje të kompanive dhe në parim, nuk mund të sekuestrohen fonde nga kompanitë nëse paratë kanë një qëllim publik.

Sipas gazetës, biznesmeni italian është detyruar që të dalë nëpër Evropë duke kërkuar sekuestrimin e pasurive, pasi shteti shqiptar nuk pranoi të paguante gjobën.

Raste të tilla janë duke u zhvilluar tashmë edhe në Austri dhe Belgjikë duke kërkuar para të destinuara për kompensim dëmi.

Vetëm pak ditë më parë në media u bë e ditur se Beçhetti ka bllokuar 170 mijë euro të depozituara nga pagesat e ‘Eurocontrol’ për kompaninë shqiptare ‘Albcontrol’, nga kompanitë ajrore që përdorin hapesirën shqiptare për fluturim.

Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se bllokimi i parave është një masë paraprake e cila mund të mbetet në fuqi edhe gjatë vitit 2021 edhe pse Shqipëria e ka kundërshtuar këtë veprim duke argumentuar se honoraret e kompanive të fluturimit për Albcontrol duhet të mos preken.

Gazete holandeze bën me dije se sipas avokatit që merret me procedurat e Beçhettit në Holandë, Shqipëria nuk do mundet ta parandalojë konfsikimin e pasurive.