Sulmoi me armë lokalin dhe humbi gjurmët, arrestohet 38-vjeçari në Tropojë
Policia e Tropojës ka vënë në pranga një 38-vjeçar, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak".
Sipas asaj që raporton gazetari i Ora News Besar Bajraktaraj, i arrestuar është shtetasi Riza Hajdaraj, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.
NGJARJA KU U PËRFSHI 38-VJEÇARI
Më datë 25.05.2020 është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali në fshatin Sopot, ku ndodheshin shtetasit B. Rr. dhe G. Rr. Në përfundim të veprimeve hetimore janë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit R. H. dhe G. K. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi G. Rr., i cili është kundërpërgjigjur me armë nga brenda lokalit, pas konfliktit për motive të dobëta.
VENDIMI I DREJTËSISË
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë, në datën 14.07.2020, ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të datës 07.07.2020, të Gjykatës së Rrethit Tropojë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja me paramendim“ mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake".
Sipas policisë, vijon puna për kapjen e shtetasve G. K. dhe G. Rr.
/a.r,OraNews