Vodhi bombolat në depon e spitalit Kavajë, gjykata mbyll në burg Mensur Shtyllën
Gjykata e Kavajës vendosi masën arrest me burg ndaj shtetasit Mensur Shtylla, oksigjenist i spitalit të Kavajës i akuzuar nga prokuroria se vodhi 24 bombola oksigjeni nga depoja e spitalit, duke ja dhënë të afërmve të personave të prekur me “COVID-19”.
Vendimi për punonjësin e spitalit Kavajë, është marrë të hënën nga Gjykata e këtij qyteti, e cila pasi ka shqyrtuar dosjen me materialin hetimor dhe kërkesën e prokurorisë. Grupi i hetimit pak ditë më parë vendosi ti ndryshojë akuzën Mensur Shtyllës, nga “Shpërdorim detyre” në “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Para grupit hetimor, Mensur Shtylla, ka treguar se
"Kam rreth 16 muaj që punoj në spitalin e Kavajës me detyrë oksigjenist. Kam marrë bombola nga spitali dhe i kam dhënë banorëve të ndryshëm të Kavajës, për shkak të nevojave që kanë pasur, pasi si qytetar i Kavajës kisha njohje me ta. Unë kam vepruar vetë, kam pasur kopje çelësi dhe nuk kam bashkëpunuar me ndonjë person tjetër dhe nuk kam njoftuar eprorët e mi për këto veprime që kam kryer. Gjithçka e kam bërë për humanizëm”
Skandali është zbuluar nga drejtoresha e spitalit të Kavajës, të cilës vartësit i kishin rekomanduar blerjen e bombolave të reja të oksigjenit, pasi nuk kishte gjendje në magazinë. Pas verifikimeve të para, titullarja ka zbuluar se bombolat e oksigjenit nuk ishin përdorur nga spitali dhe më pas kontrolli fizik në magazinë ka konfirmuar mungesën e tyre.
Menjëherë policia ka vënë në vëzhgim oksigjenistin Mensur Shtylla I cili ka rezultuar se i merrte pa leje bombolat e spitalit dhe u dërgonte në banesat e qytetarëve të prekur nga Covidi kundrejt pagesës.