Shkarkohet gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Bib Ndreca

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, do të funksionojë me një anëtar më pak pas vendimit të KPK-së për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Bib Ndreca.

Një vit pas seancës së parë ndaj tij, KPK-ja vendosi sot shkarkimin nga detyra të gjyqtarit paraprak të dosjes "339" për shkak të problemeve në kriterin e pasurisë.

Pas seancave të para, në shtator të këtij viti KPK-ja vendosi rihapjen e hetimit dhe mbledhjen e provave të reja pas kundërshtimeve të gjyqtarit në lidhje me problemet e pasurisë.

Por pak ditë më parë, KPK e deklaroi hetimin të mbyllur dhe tha se nuk kishte gjetur prova të reja në lidhje me çështjen.

Sipas KPK, problemet me pasurinë e gjyqtarit janë gjetur në lidhje me një sipërfaqe toke ku është ngritur një biznes, si dhe me blerjen e më pas dhurimin e një automjeti me vlerë 12 mijë euro si dhe pagesat për shlyerjen e një apartamenti.

Shkarkimi i Bib Ndrecës fut në ngërç gjykatën e cila aktualisht ka 8 gjyqtarë nga 16 që duhet të ketë.

Me këtë numër mund të formohen vetëm 2 trupa gjykues. Kushti që një gjyqtar të jetë anëtar i kësaj gjykate është që duhet të ketë kaluar vetingun në të dy shkallët.

Dhe i vetmi që ka plotësuar këtë kriter është gjyqtari Erion Çela dhe emërimi i tij pritet të bëhet me urgjencë.

Ndërkohë KPK ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e gjykatës së Vlorës, Elona Mihali.

https://youtu.be/vxKuoD131Jk