Pampuri për magazinierin: I punësuar në mënyrë të paligjshme, nipi i ish-drejtorit të spitalit të Kavajës

Kjo javë që po mbyllim solli shpërthimin e dy skandaleve radhazi në sistemin shëndetësor që sollën reagime të ashpra në opinionin publik.

Fillimisht ishte Tire Alldervishi, sanitarja e spitalit "Shefqet Ndroqi",  e cila duke u shtirur si infermiere i kishte marrë në formën e ryshfetit rreth 8 milion lekë të vjetra një 30-vjeçareje, e cila e kishte nënën të sëmurë me COVID në ambientet e spitalit e që për fat të keq ndërroi jetë.

Fill më pas, në spitalin e Kavajës u zbulua se magazinieri i tij, 26-vjeçari Mensur Shtylla, shpërndante bombolat e oksigjenit të  institucionit në familje të ndryshme të qytetit, në këmbim të parave.

Për ish-deputeten e PD-së, Orjola Pampuri, fenomene të tilla nuk baltosin punën e mirë të bluzave të bardha gjatë kësaj periudhe, por tregojnë kalbjen e sistemit shëndetësor në vend.

Ajo tregoi në Ora News se 26-vjeçari Mensur Shtylla, është nipi i ish-drejtorit të spitalit të Kavajës, e kjo për të përbën një shkelje, pasi drejtues shtetërorë nuk mund të punësojnë në institucionet ku janë titullarë, familjarët e tyre.

Pampuri: Skandale të tilla unë nuk dua t'ia vendos bluzave të bardha. Ky është një fenomen, si ishte Tirja fenomeni në Tiranë, u bë dhe Mensuri fenomeni Kavajë. Është fenomeni që tregon sistemin e kalbur shëndetësorë për shkak të keqmenaxhimit. Mendoni se ku ka arritur të merren bombolat nga spitali, e të shiten.

Me pak fjalë të  zhvillohet biznes brenda një institucioni shtetërorë, nga punonjës brenda këtij spitali. Për më shumë nga punonjës që janë vendosur aty duke shkelur ligjin. Është nip i ish-drejtuesit të spitalit, që e ka emëruar në momentin që oksigjenisti tjetër ka qenë në detyrë, në vend të tij është vendosur nipi. Kjo është shkelje e ligjit, sepse titullarët nuk kanë të drejtë të emërojnë familjarët e tyre. E dyta, mendoni tani se ku ka shkuar sistemi unë, sesi propagandohet ky sistem, i cili në show-t propagandistik të Ramës propagandohet totalisht ndryshe.

Ku meritokracia ka prioritet, konkurset e famshme të Manstirliut, të gjitha këto bien poshtë me fenomene të tilla. E gjitha këto nxjerr në pah problematikat që ka sistemi. Cilat janë ato? Mjekët. Nevojat që kanë institucionet shëndetësore, që nuk u plotësuan kurrë. Motivimi i punonjësve të personalit shëndetësorë që nuk u arrit kurrë. Nuk u arrit asgjë gjatë këtyre viteve.

LEXO EDHE

Ekskluzive/Ora News zbardh dëshminë e Mensur Shtyllës:Veproja i vetëm, s’kisha bashkëpunëtorë. E bëra për humanizëm, pasi….