Fëmijët po harrojnë shkrimin, mësimi në Vidhas me tre turne, prindërit: Po vonohen punimet

Nxënësit e shkollës së Vidhasit në Elbasan prej muajsh e kanë zhvilluar mësimin më shumë online.

Kjo ka lënë mjaft mangësi tek nxënësit e ciklit fillor. Ndaj ky është shqetësimi kryesor i prindërve.

"Vetëm online, po shkruajnë kalamajtë vetëm me shkronja kapitale, çfarë bëhet kështu?"

Shkolla 9-vjeçare Vidhas përbëhet nga dy godina. Godina kryesore do ti nënshtrohet rikonstruksionit, ndaj aktualisht ajo është mbyllur, duke bërë që nxënësit të shpërngulen te godina tjetër, e për pasojë mësimi kryhet me tre turne.

Por, sipas prindërve punimet janë vonuar, pasia to duhet të kishin nisur prej marsit të kaluar.

"Ata thonë riparim por unë nuk shoh ustallarë as bojaxhinj."

"Të vijë ta shohë kush të dojë, punohet apo nuk punohet. Unë kërkoj ta di do të funksionojë kjo shkollë apo jo që të tërheq fëmijët e mi dhe ti çoj diku tjetër."

"Ustallarë nuk shihen gjëkundi këtu, çfarë bëhet apo nuk bëhet."

Mungesa e ngrohjes është një tjetër problem për prindërit.

"Ngrohja është zero, aty brenda është skandal. Mban një rezistencë mësuesi dhe fëmijët le të rrinë aty në fund."

Jashtë kameras, Drejtoria e shkollës bën me dije se mësimi online është udhëzim i Ministrisë së Arsimit, dhe jo kompetencë e shkollës.

Ndërsa në lidhje me punimet që ende nuk kanë nisur në shkollë mësohet se janë bërë disa shkresa në njësinë administrative , por ende nuk ka patur një përgjigje nga kjo e fundit.