Mediu: Ne duam të fitojmë, i takon PD-së të tregojë rrugën

Teksa Lulëzim Basha po vijon konsultimet për emrat që do të vendosë në listat e zgjedhjeve të 25 prillit, aleati i tij Fatmir Mediu gjatë Kongresit për 30 vjetorin e themelimit të Partisë ka prezantuar disa prej emrave me të cilët republikanët do të garojnë.

"Historia e së djathtës është histori njerëzish që e kanë krijuar. Nuk mund të ketë sukses një parti politike, një opozitë në qoftë se nuk do të dijë të vlerësojë jo vetëm historinë e vet si vlerë e shkruar e historisë, e arritjeve, por sidomos si vlerë e kapitaleve njerëzore që kanë krijuar këtë histori. Prandaj është shumë  e rëndësishme që në rrugëtimin tonë për të bashkuar shqiptarët në 25 prill, të bashkojmë në radhë të parë atë që është identiteti politik i të djathtës" tha Mediu gjatë fjalimit të tij.

Për kreun e republikanëve e djathta duhet të bashkohet për të arritur suksesin .

"Rama po shkatërron çdo gjë të ndërtuar në këto 30 vite. Në ka një oligark të vetëm ky vend, që ka prodhuar vetëm korrupsion dhe klientelizëm ekonomik, është Edi Rama dhe përgjegjësia është e tij. E djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne duam të fitojmë më Partinë Demokratike dhe i takon PD-së që të paracaktojë dhe të tregojë kush janë rrugët e fitores, " shtoi ai.

Partia Republikane shqiptare është themeluar më 10 janar 1991 dhe një ndër figurat emblematike të saj në fillimet e pluralizmit ka qenë shkrimtari dhe intelektuali Sabri Godo.

"Besoni në të ardhmen tuaj si njerëz, si komb," e mbylli fjalimin e tij Z.Mediu.