"Sirianët ia dërgojnë adresën njëri-tjetrit se është lirë" mbetet në burg pronari i hotelit
Fatos Dusha, i vetmi person i arrestuar për tentativën e trafikimit të më shumë se 50 klandestinëve me gomone nga Shqipëria drejt Italisë, mbetet ne qeli.
Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg , 63 vjeçarit që akuzohet se strehoi emigrantët në Hostelin “Allstars”, në pronësi të tij në Tiranë.
Ai u vu në pranga pasi në celularin e njërit prej klandestinëve të shpëtuar në mes të detit, u gjet vendndodhja e hotelit, por para gjykatës Fatos Dusha, ka mohuar përfshirjen në trafikun e klandestinëve.
“Unë nuk asnjë lidhje me trafikantët. Vijnë shtetas të huaj për 6- 7 € krevati dhe flenë. Më akuzojnë si trafikant ndërkohë që kam tre muaj pa paguar ujë e drita. Sirianët ia dërgojnë adresën njëri-tjetrit se është lirë. S’kam asnjë dijeni për trafikun apo lidhjet, unë ushqehem më këtë punë”.
Prokuroria ka dyshime se veç hotelit të Fatos Dushës në Tiranë, një tjetër bazë e strehimit të klandestinëve para se të niseshin drejt Italisë ka qenë në Novoselë të Vlorës, ku një person është shpallur në kërkim.
55 emigrantë nga vende të ndryshme të lindjes së mesme u shpëtuan mbrëmjen e 8 Janarit pasi mbetën të bllokuar për më shumë se 3 orë në mes të detit.
Autoritetet shqiiptare u njoftuan për mes një telefonate, ndërsa dështimi për të vënë në pranga tre skafistët ka ngritur dyshime se ata u ndihmuan nga persona në strukturat e përfshira në aksion, ose mund të kenë patur një tjetër mjet me të cilin janë larguar.
