Rrugë për mbetjet e Shkodrës? Paqartësi për projektin, banorët e Bardhajt bllokojnë punimet

Mungesa e projektit ka detyruar banorë të fshatit Bleran-Bardhaj të bllokojnë punimet e rrugës, për të cilën dyshojnë se po e bëjnë për depozitimin e mbetjeve të Shkodrës, pas konfliktit me landfillin e Bushatit.

Punimet e një rruge në fshatin Bleran-Bardhaj, në kodrat e Rrencit të Shkodrës janë bllokuar këtë të mërkurë nga banorët e zonës, të cilët dyshojnë se aksi po hapet për depozitimin e mbetjeve, pas konfliktit që bashkia e Shkodrës ka me landfillin e  Bushatit.

"Çdo rrugë që niset ka një hyrje dhe një dalje. Kjo rrugë hyrjen e ka, daljen jo. Ku do shkojnë?"

"Këtu ka një fshehtësi, po punohet për ardhjen e mbeturinave. Ne jemi bashkuar për mbeturinat. Këta thonë e kemi për të mirën tuaj, ne nuk e kemi asnjë interes me këtë rrugë."

Banorët thonë se nëse rruga është për këtë qëllim, ato nuk do e lejojnë një gjë të tillë.

"Mos na idhnoni, mos na shqetësoni, të vijnë përfaqësues të bashkisë dhe të japin llogari për çfarë bëhet kjo rrugë.Të tjerat janë përralla!"

"Për ne quhet rrugë e vdekur sepse nuk funksionon fare."

Edhe prifti, Dom Raffaele Galiardi i bën thirrje Bashkisë së Shkodrës që të sqarojë projektin.

"Nëse kjo rrugë është për të sjellë mbeturina në këtë lagje këtu nuk kalon asnjë dumdum me mbeturina. Na tregoni, pse jeni duke e bërë këtë punë?"

Banorët janë përlasur me të dërguarin e Bashkisë, administratorin e Gurit të Zi Pjerin Markun, duke thënë se ai nuk është kompetent për këtë rrugë.

"E ka komuna e Rrethinave, çfarë kërkon ti këtu? Ti je përfaqësues i komunës së Rrethinave, ti je i Gurit të Zi, çfarë kërkon këtu, me i thënë përralla këtij populli?!