Tiranë: Përleshen dy ortakët e pallatit tek ish Parku i Autobusëve, plagoset kalimtari e roja

Tre persona kanë mbetur të plagosur pas sherrit mes dy biznesmenëve në kryeqytet në zonën e ish- Parkut të Autobusëve, paraditen e sotme, 13 janar 2021.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:30 në rrugën "Ndre Mjeda"

Albert Allmuçaj dhe Sino Llanaj dyshohet se janë konfliktuar verbalisht në katin e parë të pallatit pasi prej kohësh kanë patur mosmarrëveshje për shitjen e hyrjeve.

Në sherr janë përfshirë të paktën 5 persona, ndërsa policia dyshon se Allmuça ka shtënë ndaj biznesmenit Llanaj duke e lënë të plagosur por plumbat kanë kapur dhe kalimtarin Klodian Komino i cili ndodhej në anën tjetër të rrugës.

Për të shuar konfliktin ka tentuar të ndërhyjë dhe roja i objektit, por është goditur me grushte dhe sende të forta.

Do hapen kamerat e sigurise

Disa orë më pas,  në polici është paraqitur vetë biznesmeni Allmuça i cili ka pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen, por hetuesit presin të zbardhin pamje të kamerave te sigurisë në zonë për të përcaktuar rolin e secilit.

Para rreth 6 muajsh, për shkak të konflikteve që kanë patur me njëri-tjetrin dy pronarët Albert Allmuça dhe Sino Llanaj, në lidhje me mënyrën se si kanë shitur apartamentet e pallatit në fjalë kanë patur një konflikt i cili ka çuar në bllokimin e rrugës me kamionë.

Mosmarrëveshjet
Mosmarrëveshjet mes dy pronarëve kanë bërë që afati i përfundimit të pallatit të shtyhet, e për pasojë banorët që kanë blerë hyrje kanë protestuar të shtunën e kaluar, 9 janar 2021, ku i lënduar mbeti biznesmeni Llanaj.

Nga ana tjetër pronarët e tokës akuzojnë dy ndërtuesit se nuk u janë përgjigjur për pjesën që u takon.

Jemine Durishti një prej pronarëve të truallit ku është ndërtuar kompleksi i pallateve shfrytëzoi momentin kur pa gazetarët për të bërë publik dhe shqetësimin e saj se as ajo nuk ka marrë ende  një detyrim si dëmshpërblim për truallin.
“Albert Allmuça më ka 4800 euro pa dhënë. Ka shit 3- 4 herë një hyrje.  Le të mbajë 800 por të më kthejë 4 mijë se më duhen për të shkuar në spital. Kushedisa njerëzve u ka marrë dhe nuk u ka dhënë lekët” thote një grua.

Në këtë pallat, 6 muaj më parë humbi jetën roja. Ai u gjet në sheshpushimin e katit të dytë të ndërsa policia deklaroi asokohe që ka rënë aksidentalisht nga lartësia.

 Konflikti mes dy investitorëve “Llanaj ndërtim” dhe “Star Construction shpk” ndodhi për një kompleks banimi me struktura 2,9 dhe 11 kate mbi tokë në rrugën “Ndre Mjeda”.

 

Lexo dhe: Dy biznesmenët në konflikt gjyqësor


(Lajmi u perditesua)