Vlorë: 3 orë në mes të detit me dallgë, 50 sirianë në gomone prisnin të kalonin kufirin drejt Italisë
Rreth 50 klandestinë nga vendet në konflikt u shpëtuan mbrëmjen e 8 janarit 2021, pasi qëndruan për rreth tre orë në det të hapur në tentativë për të kaluar ilegalisht me gomone drejt Italisë nga një grup trafikantësh
Mjeti lundrues mbeti i bllokuar për disa orë në grykëderdhjen të Vjosës ku u ndërhy nga forcat shqiptare që sipas burimeve u njoftuan përmes një telefonate se po rrezikoheshin të mbyteshin në kushtet kur forca e detit ishte deri në 5 ballë.
Ndihmë të specializuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, morën 16 persona, ndërsa 9 burra dhe gra nisën drejt Spitalit të Traumës, mes tyre tre fëmijë nën moshën 10-vjeçare.
Telefonata për ndihmë
Ditën e djeshme rreth orës 21:30 në rrugë operative është marrë telefona në lidhje me një grup klandestinësh të cilët priteshin të trafikoheshin drejtë Italisë.
Shpetimi
Gomonia e cila luftonte me dallgët në Grykëderdhjen e Vjosës pranë fshatit Poro të Novoselës është pikasur rreth orës 22:00 të mbrëmjes.
Është angazhuar menjëherë roja bregdetare, Guardia di Financa si dhe policia e Vlorës në një operacion shpëtimi për klandëstinët.
Klandestinët janë shpëtuar rreth orës 23:00. Shumica prej tyre kanë marrë plagë në trup dhe janë dërguar në spitalin e Vlorës për trajtim të specializuar. 16 prej tyre janë shtruar në spitalin e Vlorës ndërsa 9 janë sjellë në Tiranë për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës.
Në kërkim trafikantët
Policia e Vlorës së bashku me autoritetet që morën pjesë në aksion janë në kërkim të trafikantëve, mendohet të jenë dy, por ende të paidentifikuar, pasi pjesa më e madhe e klandestinëve në dëshminë e tyre në komisariat, shprehen se nuk i njohin dhe se kanë paguar një shumë të madhe lekësh për të kaluar kufirin.
Mendohet se trafikantët të kenë kuptuar se janë pikasur nga Guardia di Financa dhe më pas t'i kenë braktisur klandestinët në det të hapur.