Koka: Shpresoj që Ramën të mos e hajë deti Jon dhe Turqia të na shpëtojë detin
Edhe pse u pa si një ndërmjetësues në krizën turko-greke me dy vizitat e njëpanjëshme në kryeqytetet e vendeve respektive, për gazetarin Bledian Koka, kryeministri Rama në këtë çështje nuk kalon dot më shumë se nivelin e postierit.
Koka: Mund ta quaj një postier që i është dhënë një pusullë për ta çuar nga Ankaraja në Athinë. Nuk mendoj se Rexhep Taip Erdogan dhe Kyriakos Mitsotakis kanë mbetur në dorën e Edi Ramës për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre. Unë jam shumë i sigurt që ata i kanë kanalet e tyre të komunikimit.
I ftuar në Rtv Ora, Koka ndan edhe një shqetësim.
Koka: Unë shpresoj shumë që nga ky trekëndësh raportesh Tiranë-Athinë-Ankara, në fund fare mos ta hajë deti Jon ose gjiret e Sarandës që me vendim të presidentit grek janë të mbyllura dhe ky është halli i madh që duhet të qajmë.
Kryeministri shqiptar nuk ka bërë të qartë nëse është folur për çështjen e kufirit detar në takimin me homologun grek në Athinë, por pikërisht këtë të premte qeveria greke ka njoftuar dërgimin në parlament të projektligjit për “përcaktimin e gjerësisë së zonës bregdetare në zonën detare në Jon deri në Kepin Tainaro të Peloponezit“.
Koka: Greqia po merr të gjitha hapat për të adresuar çështjen e 12 miljeve me Shqipërinë.Lajmi i keq në dekretin e presidentit të Greqisë është mbyllja e gjireve. Shpresoj shumë që presioni që mund të ketë ushtruar Turqia ndaj kryeministrit Rama për qëndrimin liberal që ai ka mbajtur pro të gjithë akteve që ka ndërmarrë Greqia për çështjen e detit të jetë një presion që e shpëton edhe njëherë detin ashtu siç thonë e shpëtoi në 2009 apo 2010 kur u bë marrëveshja dhe e rrëzoi Gjykata Kushtetuese.
LEXO EDHE
Pas Erdoganit te Mitsotakis, Rama në Greqi për vaksinat, në Athinë diskutohet deti
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana