Grabitja në Rinas, i penduari Alkond Bengasi tërhiqet nga bashkëpunimi me drejtësinë dhe mohon dëshminë
Alkond Bengasi, i penduari i dosjes ndaj 8 të akuzuarve për grabitjen e 9 prillit të vitit 2019 në Rinas, është tërhequr nga bashkëpunimi me drejtësinë. Bengasi përmes një shkrese ka informuar gjykatën dhe prokurorinë, ku pretendon se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe me akuzat. Ai dëshmoi para grupit hetimor se pranoi të modifikonte furgonët me të cilët u krye grabitje për arsye ekonomike.
Alkond Bengasi, i penduari i dosjes penale ndaj 8 të akuzuarve për grabitjen e 9 prillit 2019 në Rinas, është tërhequr nga bashkëpunimi me drejtësinë.
Përmes një shkrese, Bengasi ka njoftuar Prokurorinë dhe gjykatën ku pretendon se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe me akuzat e ngritura ndaj tij.
Me anë të deklaratës me shkrim, Bengasi tërhiqet nga dëshmia e dhënë para prokurorëve gjatë hetimit të ngjarjes, ku rrëfente të dhënat e përgatitjes së grabitjes si dhe takime me të bashkëpunëtorët e tjerë.
I penduari si bashkëpunëtor i drejtësisë pretendon se rrëfimi i ishte marrë në kushte presioni dhe se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen apo akuzat e ngritura kundër tij.
Njëkohësisht Bengasi është tërhequr edhe nga kërkesa për gjykim të shkurtuar.
Alkond Bengasi është arrestuar pasi punonte në varrezën e makinave ku dyshohet të jetë modifikuar “Chervolet” i përdorur në grabitje.
Për grabitjen e ndodhur në Rinas, SPAK ka dërguar për gjykim Klement Çalën, Eldi Çalën, Oltion Veselin, Elton Piklin, Saimir Çelën, Renaldo Sulën, Talo Çelën dhe Alkond Bengasin.
Sipas SPAK, kreu i grupit kriminal ishte Admir Murati, i cili u vra ditën e grabitjes gjatë përplasjes me armë me policinë.
Në seancën gjyqësore të kësaj të enjteje, gjykata i dha kohë prokurorisë të shprehet në lidhje me disa kërkesa për pavlefshmëri aktesh të bëra nga avokatët e të pandehurve.