"Pak ndriçim e shumë lekë", Bashkia e Tiranës tender 29 milionë lekë për fishekzjarret e fundvitit
Edhe tenderi për fishekzjarret e fundvitit në bashkinë e Tiranës rezulton të jetë zhvilluar pa garë, me pjesëmarrjen e vetëm një subjekti që është shpallur automatikisht dhe fituesi. Spektakli i fishekzjarreve në shesh këtë vit mungoi, kjo me argumentin se ato u shpërndanë në 12 njësitë administrative.
Këto fishekzjarre në natën e ndërrimit të viteve në kryeqytet u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se 29 milionë lekë dhe për herë të parë në sheshin "Skënderbej" nuk pati spektakël.
Duke i paraprirë deklaratave se sasia e hedhur ishte e vogël, Bashkia deklaroi se u shpërndanë në të gjitha njësitë, kjo për shkak të Covid.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike, bashkia e Tiranës është autoriteti prokurues i kësaj procedure.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, në shesh situata u paraqit më e vakët.
Referuar dokumentave shoqëruese të tenderit me vlerën prej 29 milionë lekësh ishte parashikuar të bliheshin 19 lloje fishekzjarresh të tipit tortë feta me 13 dhe 19 plasje bishtpallua, predha me madhësi të ndryshme etj.
Por edhe në këtë rast procedura rezulton të jetë zhvilluar pa garë me pjesëmarrës vetëm një konkurrent.
Albafire shpk është shpallur në këtë mënyrë fituese e kësaj kontrate me vlerën e ofertuar prej 29 milionë e 20 mijë lekë, me një diferencë prej vetëm 146 mijë lekësh nga fondi limit.
Sipas të dhënave në Open Data Albafire ka nënshkruar edhe gjatë viteve 2016, 2017, 2018 kontratat për tenderin me objekt fishekzjarret për festat e fundvitit.
Ashtu si për vitin 2020, ky subjekt edhe në tre rastet në fjalë ka marrë pjesë i vetëm, çka i ka siguruar në mënyrë automatike fitoren.
Open Data i ka shënuar këto tre procedura me flamurin e kuq me argumentin se ka pasur mungesë konkurrence.