Lezhë, lirohet 50-vjeçarja, “kokaina” del qetësues lidokainë, “shfryhet” operacioni i policisë
Dy muaj pasi policia e Lezhës deklaroi sekuestrimin e 1.2 kg kokainë dhe vuri në pranga një 50-vjeçare, operacioni është shfryrë plotësisht! Lënda ka rezultuar se është qetësues, ndaj gruaja është nxjerrë nga qelia.
Dy pakot me peshë 1.2 kilogram të sekuestruara nga policia e Lezhës të dyshuara si Kokainë më 19 Nëntor 2020 kanë rezultuar se nuk janë lëndë narkotike, por një lloj qetësuesi i njohur me emrin lidokainë.
Në kuadër të operacionit “Stacioni” në atë kohë u vu në pranga 50-vjeçarja Vera Preka dhe disa ditë më pas edhe ish bashkëshorti i saj Dodë Marvukaj, i cili fillimisht arriti ti shpëtojë prangave!
Gati dy muaj më pas, operacioni që në atë kohë u reklamua me bujë dhe mbi bazë të informacioneve operative është shfryrë plotësisht!
Ekspertiza ka provuar se lidokaina nuk gjendet në tabelën e lëndëve narkotike dhe psikotropike të ndaluara me ligj!
E gjendur në këto kushte prokuroria ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj 50 vjeçares Vera Preka, vendim që është marrë nga Gjykata e Apelit Shkodër!
Gruaja u arrestua në një ambient të përshtatur për banim nga Dodë Marvukaj me të cilin ishte e ndarë ligjërisht, dhe pakot e dyshuara i kishte fshehur në lavatriçe.
52-vjeçari nga ana tjetër, mbetet ende në qeli, pasi ndaj tij rëndon edhe një akuzë e mëhershme për shitje të lëndëve narkotike, për të cilën ishte lënë në arrest shtëpie.
Lidokaina është një qetësues lokal i cili bllokon sinjalet e nervave për të mos ndjerë dhimbje pasi bllokon sinjalet e nervave.
Ajo nuk është substancë e ndaluar, por sasia e lartë dhe paketimi i ngjashëm me atë të lëndëve narkotike, ngre dyshime se për çfarë do të përdorej dhe kush ishte poseduesi i sasisë së qetësuesit.