Votimi elektronik: Korça me konsensus, PS propozon edhe Tiranën, PD kërkon Fierin

Korça, Fieri dhe Tirana janë tre qarqet në të cilat do të mund të kryhet pilotimi për numërimin dhe votimin elektronik për 20% të zgjedhësve në rang kombëtar. PD kërkon edhe Fierin, ndërsa socialistët mendojnë që pilotimi të bëhet edhe në disa njësi administrative të Bashkisë Tiranë.

Partia Socialiste dhe Partia Demkoratike kanë rënë dakord që për votimin dhe numërimin elektronik, Korça të jetë një nga qarqet ku do të pilotohet.

Në përgjigje të kërkesës së KQZ-së, përfaqësuesi i selisë blu në këtë institucion, Ivi Kaso ka propozuar që qarku tjetër të jetë ai i Fierit, ndërsa mazhoranca nëpërmjet  Eridian Saliani kërkon që pilotimit të kryhet edhe në disa njësi administrative të Bas hkisë Tiranë.

Tashmë është në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar zonat zgjedhore për votimin dhe numërimin elektronik për 20% të zgjedhësve në rang vendi.

Komisioneri shtetëror do të kërkojë që palët politike të gjejnë konsensus për këtë çështje.

Sipas një përllogaritje të bërë nga KQZ-ja, pilotimi për votimin dhe numërimin do t’i kushtojë qeverisë shqiptare 10 milionë euro, ndërsa pasi të dakordësohen zonat do të hapet edhe procedura e tenderimit për kompaninë e cila do të sigurojë procesin.