Vrasja e dy motrave, Prokuroria e Selanikut nis një hetim paraprak për trafikim të foshnjave
Prokuroria e Selanikut ka nisur hetimet pas denoncimeve nga familjarët e dy motrave të vrara Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi për trafikim fëmijësh nga Përparim Ademi.
Kreu i prokurorisë në Selanik, Panagiotis Panagiotopoulos, ka urdhëruar hetimin e pretendimeve për adoptim të paligjshëm të fëmijëve me qëllim trafikimi.
Të afërmit e dy motrave të vrara pretendojnë se më shumë se 10 fëmijë janë lindur në maternitetet greke dhe janë shitur më pas për një shumë të caktuar falë një avokati, i cili mendohet se ka ndërruar jetë.
Mediat greke duke iu referuar burimeve policore ngrenë alarmin se në këtë rast kemi të bëjmë edhe me persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në trafikun e fëmijëve.
Sipas mediave greke njëra prej motrave kishte jetuar deri para pak ditësh se të vinte në Shqipëri në një apartament në Kavala ku ishte regjistruar në një qendër rehabilitimi për të studiuar, pasi dëshironte që të niste një jetë të re.
Referuar deklaratave të mësuesve të saj, ajo nuk e frekuentonte rregullisht shkollën pasi mungonte me muaj, ku sipas tyre, viktima thoshte se vinte në Shqipëri për të ndihmuar familjen me punë.
Nga raportimet e kanaleve greke, rezulton se dy motrat janë arrestuar më përpara për prostitucion dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Edhe vetë 59-vjeçari Përparim Ademi ishte arrestuar si tutori i dy motrave ku prej vitesh kishte lidhje dashurie dhe madje i shfrytëzonte si prostituta.
Aty kanë qëndruar për një kohë të gjatë tek hotel “Bristol” në Selanik ku dhe dyshohet se kryenin aktivitetin e paligjshëm. Pas arrestimit dy motrat janë përzënë nga shteti helen.
Burime nga grupi hetimor thanë se Përparim Ademi ka kryer 70 dalje nga kufiri shqiptar drejt Greqisë, ndërsa 36 prej tyre janë kryer vetëm nëpërmjet doganës së Kapshticës.
Kalimi i fundit në shtetin helen ka qenë më 11 janar 2020 ku Ademi udhëtonte me mjetin me targë AA 655 UI.