Shiu përmbyt Vlorën, në Elbasan bien inertet, Ishmi rrezikon të dalë nga shtrati

Reshjet e intensive të shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme në disa bashki të vendit, ku qytete e toka bujqësore janw nën ujë, ndërsa në rrugë ka vështirësi nga rrëshqitjet e gurëve. Ndërkohë IGJEUM paralajmëron për një rritje të rrezikshme të prurjeve të lumenjve që mund të përkeqësojnë situatën në ditët në vijim.

Kjo ishte pamja e Vlorës pas reshjeve të shiut këtë të enjte. Mjaftuan disa minuta shi dhe një pjesë e akseve kryesore të qytetit u vunë në pushtetin e ujit. Lëvizja e këmbësorëve dhe mjeteve u bë e vështirë.

Problematike u bë situata në akset që lidhin Transballkaniken me Bulevardin e Ri, tek zona e njohur si Albano e Romina dhe Porti detar dhe autostradën Vlorë-Fier! Uji rrezikoi edhe Bibliotekën e qytetit.

Investimet e Bashkisë së Vlorës edhe një herë dështuan të shmangin përmbytjen e qytetit, një fenomen që përsëritet sa herë ka reshje intensive shiu.

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Fushë Krujë, ku lumi Ishëm rrezikon të dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të larta, sikurse në bashkinë Kurbin.

Disa dhjetra hektarë tokë janë përmbytur, ndërsa ka banesa të rrethuara me prani uji.

Banorët akuzojnë për këtë situatë bashkitë që sipas tyre nuk ka bërë pastrim të plotë të kanaleve kulluese.

Probleme pati në Shijak, ku rrugët janë nën ujë si edhe në fshatrat e Kavajës e Rrogozhinës.

Në qarkun e Gjirokastrës uji doli mbi rrugën Sofratikë- Libohovë, ndërsa është bllokuar rruga e fshatit Golem.

Për pasojë të reshjeve ka rrëshqitje gurës në aksin Berat-Poliçan, Elbasan-Librazhd, pranë kthesës së Murrashit dhe Gramsh.

Probleme në rrugët rurale pati edhe në qarkun  e Kukësit ku ashtu si edhe në  qarkun e Korcës u regjistruan reshje dëbore.

Shumë zona në të gjithë vendin patën probleme me furnizimin me energji elektrike.

Por me e keqja duket se nuk ka kaluar. Sipas IGJEUM reshjet do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë duke rrezikuar përmbytje.

https://youtu.be/yu1TfDYkvSc