"Air Albania" bëhet gati ngrihen 60 pika, ja si do të kryhet vaksinimi

Stadiumi Air Albania është pika e parë ku do të kryhet fushata e vaksinimit anticovid. Do të jenë 60 postacione dhe pritet që në një orë të vaksinohen rreth 60 persona.

Në stolat e stadiumit është bërë edhe ndarja se ku do të qëndrojnë personat që do të vaksinohen dhe ata që e kanë kryer procesin.

Në çdo postacion do të ketë dy infermierë, dhe të pranishëm do të jenë mjekët që do të zhvillojnë konsulta të vazhdueshme me pacientët  gjatë të gjithë procesit, shpjegon ekspertes së fushatës së vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj.

“Përpara çdo pike vaksinimi është një karrige që është para vaksinimit. Të bëjnë një konsultë paraprake me mjekun. Më pas drejtohet te vaksinimi që është moment shumë i shkurtër. Në vendet e pritjes qëndrohet 20-30 minuta.”

Me 10 mijë dozat e para pritet të vaksinohen 5 000 personel mjekësor dhe  ata që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve.

Duke qenë se  vaksina nuk është testuar ende te gratë shtatzënë dhe të rinjtë nën 16 vjeç, ajo nuk do të bëhet te këto kategori.

“Kryesisht përsa i përket alergjive shumë të rralla që do të konsultohen me mjekun. Ndërkohë jo se kemi përjashtim, por thjeshtë nuk përfshijmë gratë shtatzëna dhe të rinjtë e moshave nën 16 vjeç.”

 Është zgjedhur pikërisht një ambient si stadiumi pasi procesi i vaksinimit shkakton grumbullime.

 Sipas Nelajt ambientet mund të ndryshojnë në varësi të karakteristikave të vaksinave që do të mbërrijnë në Shqipëri.

 “Procesi i parë i grumbullimit, procesi i dytë i pritjes që duhet të qëndrosh në vëzhgim për 30 minuta, nuk mund të bëhet në ambiente të vogla. Por në varësi të vaksinave që do të vijnë, do të ndryshojë dhe logjistika.”

Vaksinat e para anticovid, pritet të vijnë në Shqipëri në javën e tretë të janarit,  ndërsa në shkurt pritet të vijnë 30 mijë doza të tjera.