Nga shembja e teatrit te zgjedhjet e 30 qershorit, mblidhet Gjykata Kushtetuese
Pas mbledhjet së 29 dhjetorit, 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese po zhvillojnë mbledhjen e dytë.
Mbledhja është fokusuar në çështjet që sipas ligjit i përkasin për kompetencë Mbledhjes së Gjyqtarëve, si dhe për të kryer veprimet e nevojshme përgatitore dhe organizative për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Temë e diskutimit do të jenë çështje të rëndësishme për vendin, ku zënë vend primar zgjedhjet e 30 qershorit, padia e Presidentit Meta për Teatrin dhe padia ndaj Presidentit në lidhje me emërimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm. Kjo e fundit është një kërkesë e bërë nga Kuvendi për mosdekretimin nga ana e Kreut të Shtetit për ish-ministrin e Jashtëm.
Po ashtu pritet të përcaktohet metodologjia për përzgjedhjen e çështjeve me rëndësi që do të shqyrtohen të parat.
Në Gjykatën Kushtetuese janë rreth 140 dosje që presin për shqyrtim dhe që janë përzgjedhur të kalojnë në seancë plenare. Sipas ligjit duhet një numër tek i anëtarëve dhe një vendim është i vlefshëm kur ka 5 vota pro ose kundër, raporton gazetarja e Ora News Keti Banushi.
Aktualisht me 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese bëhet e mundur dalja në seancë plenare, ndërkohë që sot do të vendoset edhe data e mbledhjes për të zgjedhur kryetarin e GJK.