Rikthehet kontrolli në Kongres, senati nis punën. Katër të vdekur, mbi 50 të arrestuar pas sulmit

Amerika është zgjuar nën shenjat e dhunës dhe kaosit në kryeqytetin e saj, dhune e cila fatkeqësisht shkaktoi, katër viktima dhe trazira brenda Shtëpisë së Bardhë.

Ishte një  tubim i thirrur nga simpatizantët e presidentit Donald Trump, që rriti tensionet e mbrujtura prej 2 muajsh.

Vetë Kreu i Shtetit, iu drejtua atyre me një fjalim para godinës së Kongresit, që të mos pranonin humbjen e tij ndaj demokratit Joe Biden, tashmë disa ditë larg të qenit presidenti i 46-të i vendit.

"Askush prej nesh këtu nuk do që radikalët, të majtët, demokratët, dhe mediat e lajmeve të rreme të na i grabitin zgjedhjet që i fituam. Nuk dorëzohemi kurrë, nuk e pranojmë humbjen," deklaroi Trump.

Por mesazhi i Trump, u përkthye në dhunë brenda pak minutave.

Qytetarë dhe ish-ushtarakë kaluan katër radhë me barrikada të ngritura ndaj tyre, duke mbërritur deri në dyert e Kongresit, ku senatorët diskutonin për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Pasi thyen dritaret dhe dyert e jashtme, protestuesit u futën brenda godinës, plaçkitën zyrat dhe hynë deri në dhomën e ligjvënësve.

Skenat e kaosit u kthyen në një situatë tragjike, kur rojat hapën zjarr duke qëlluar e duke u marrë jetën më vonë, një prej grave që po qëndronte mes grupit që synonte të hynte në ambientet e Kongresit.

Tre persona të tjerë u njoftuan nga policia se ndërruan jetë në rrethana të paspecifikuara, ndërsa mbi 50 persona u arrestuan për ngjarjen.

"Këto ishin zgjedhje të manipuluara, por me këta njerëz nuk luhet. Na duhet ligji dhe rendi, na duhet paqja. E kuptoj si ndiheni por shkoni në shtëpi, dhe shkoni në paqe," reagoi presidenti Tramp pas precipitimit të situatës.

"Skenat e kaosit në Kapitol nuk reflektojnë Amerikën e vërtetë, nuk tregojnë atë që ne jemi vërtet. Prandaj i bëj thirrje presidentit Trump të dalë në televizion tani, të përmbushë premtimin e dhënë, të mbrojë kushtetutën dhe të kërkojë t'i jepet fund këtij rebelimi," reagoi presidenti i zgjedhur Bajden.

Ndërkohë liderët në mbarë botën dolën me deklarata duke dënuar skenat e dhunës dhe shumicën e quajtën sulm ndaj demokracisë.

"Rezultati i zgjedhjeve demokratike duhet respektuar," deklaroi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

"Në sytë e botës, sot demokracia amerikane duket nën rrethim. Ky është një sulm i paprecedentë mbi demokracinë, institucionet dhe shtetin e së drejtës," reagoi edhe Kryediplomati i Bashkimit Europian, Joseph Borel.

Me vënien nën kontroll të situatës, Senati rifilloi punën e lënë përgjysëm duke i konfirmuar Bajdenit fitoren e 3 nëntorit.

Votat pro tij i bashkuan edhe senatorët republikanë në pushtet, duke i dalë kundër kryetarit të tyre, Tramp, dy javë përpara se ai të largohet nga zyra ovale.