Plumb për sherrin në kalçeto? Atentat 25-vjeçarit në Lezhë, autori në arrati

Një 25-vjeçar u sulmua me armë në Lezhë nga një person tashmë në arrati me të cilin kishte patur një konflikt të mëparshëm. Në dëshminë e parë në polici, Eduart Pica, mësohet se ka deklaruar se me autorin është konfliktuar për një ndeshje futbolli në kalçeto.

Një 25-vjeçar ishte objektiv i një atentati me armë zjarri në Lezhë, por fatmirësisht shpëtoi pa lëndime.

Eduart Pica u sulmua në makinën e tij në lagjen "Nënë Tereza", teksa po i   afrohej banesës.

Ngjarja u shënua rreth orës 22:30, në kohën kur kishte filluar ora policore e ndalim qarkullimit në rrugë.

Autori tashmë i identifikuar dhe shpallur në kërkim, dyshohet se e ka ndjekur 25-vjeçarin dhe qëlloi ndaj tij të paktën një herë!.

Burimet thonë se për sulmin ai përdori një pistoletë.

Autori u largua me shpejtësi me një makinë, tashmë e sekuestruar nga policia e Lezhës, e cila thotë se po punon për ta vënë në pranga.

Eduart Pica mësohet se ka deklaruar në polici me njerin që e qëlloi ishte konfliktuar për një ndeshje futbolli, por grupi hetimor ka dyshime  se atentati ka motive të tjera.

"Me autorin jam zënë teksa po luanim një ndeshje minifutbolli" ka treguar ai.

25-vjeçari Pica rezulton se ka qenë i arrestuar në vitin 2017 për një aksident me pasojë vdekjen e dy personave në Fushë Krujë.

Viktima në atë kohë mbetën Roland Kacani, 28 vjeç dhe Altin Prendushi, 27 vjeç, ndërsa të plagosur Eduard Lamaj 27 vjeç nga Laçi dhe Bledar Dauti 31 vjeç nga Tirana.

Ndaj 25-vjeçarit në atë kohë u ngritën dy akuza por 1 vit pas ngjarjes u pushua proçedimi penal ndaj tij dhe mori pafajësinë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Të gjitha zhvillimet sipas orës së raportimit

09:52: Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori

Policia e Lezhës ka njoftuar se është identifikuar dhe është shpallur në kërkim autori i dyshuar për sulmin ndaj 25 vjeçarit.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin E. P.

"Policia e Lezhës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në lagjen "Nënë Tereza", Lezhë, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta bëri të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit E. Sh., banues në Lezhë" thuhet në njoftimin e policisë

Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe mjetin tip "Benz", me të cilin ka lëvizur autori.

08:37 Drejtuesi i mjetit i ndaluar 3 vite më parë

Detaje të reja kanë kanë ardhur për ngjarjen në Lezhë ku një mjet është qëlluar gjatë mesnatës. Mësohet se Eduart Pica ka qenë i ndaluar 3 vite më për një aksident të ndodhur në Fushë Krujë ku si pasojë kanë humbur jetën 2 persona.

Ndërkaq autorët e sulmit me armë janë larguar me një automjet. Po shikohen kamerat e sigurisë për të identifikuar mjetin

7:21 Një mjet është qëlluar me armë zjarri në Lezhë

Policia njofton se në rrethana të paqarta është qëlluar në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin Eduart Pica ,25 vjeç në lagjen 'Nënë Tereza' por fatmirësisht nuk ka persona të dëmtuar.

"Nga shërbimet e DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Lezhë janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe vijon krehja e zonës" thuhet në njoftimin e policisë

https://youtu.be/40MJxfu7g7o