"Moment kombëtar i vështirë", Mediu takim me strukturat: Duhet rizgjim i klasës politike

Mbledhjen e parë për këtë fillimviti, Partia Republikane e organizoi me strukturat drejtuese të saj.

Një vëmendje e veçantë në këtë takim ju dha situatës së rëndë pandemike, ku kryetari Fatmir Mediu shprehu ngushëllimet për të gjithë jetët e humbura dhe vlerësimin masimal për punën e palodhur të stafit mjekësor përgjatë 10 muajve.

Mediu: Dua të falenderoj, që të gjithë, mjekët dhe personelin shëndetësor për mbështetjen dhe kontributin që kanë dhënë në shërbim të jetës së njerezve duke marrë përsipër dhe një rrisk jashtëzakonisht të madh, për jetën e tyre.Nga ana tjetër, shpreh sinqerisht dhimbje dhe ngushëllimin për të gjithë jetët e humbura jo vetëm në Shqipëri po kudo që janë. Dhe për familjarët e tyre dhe për ata që kanë vuajtur dhe vuajnë.

Mediu në fjalën e tij nuk kurseu as kritikat për qeverisjen aktuale, e cila sipas tij ka penguar rrugën për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Mediu: Shqipëria është në një moment kombëtar të vështirë, e cila kërkon një rizgjim të klasës politike shqiptare kudo që ndodhet. Koordinim dhe qëndrime të përbashkëta përballë disa sfidave të cilat janë shumë të veçanta dhe kanë ngritur shumë pikëpytje në të ardhmen e rajonit po në mënyrë të vecantë shqiptarëve të rajonit për të qënë shqiptarë të bashkuar në europën e bashkuar. Janë kërcënime që vijnë me ndryshimet gjeopolitike me rritjen e peshës, prezencës dhe angazhimit të Rusisë dhe të Kinës.

Në mbyllje të këtij takimi, kreu i republikanëve tha se ka ardhur momenti që opozita të konceptojë ndryshe marrëdhënien e vet në mënyrë që të ketë një kontratë të qartë me qytetarët shqiptarë për të treguar sesi do të ndërtojë qeverisjen e cila buron nga viota e lirë e qytetarëve.