Banorët e Sharrës vijojnë protestat: Na kanë marrë tokat pas asnjë shpjegim, kërkojmë kompensim

Shumë familjeve në Sharrë u janë marrë sipërfaqe të konsiderueshme për zgjerimin e landfillit por ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin.

Për këtë arsye ata vijojnë protestat prej më shumë se tre muajsh.

"Nuk e di sesi do të shkojë kjo puna jonë se ne nuk do të pushojmë por nuk na përgjigjet njeri. Të japin një përgjigje institucionet."

Ata tregojnë gjithashtu se edhe pse i kanë me dokumentacionet përkatëse tokat e tyre në Hipotekë kanë hasur probleme.

"Kanë humbur, janë ndërruar zyrat thotë që prej tërmetit dhe kanë humbur letrat. Këta kanë mbyllur arshivat që të mos bëhen letrat, të mos vlerësojnë popullin me lekë. Nuk e di si do të shkojë kjo puna jonë."

Më tej banorët tregojnë se me zgjerimin e landfillit u janë shkulur dhe pemnët si dhe u janë prishur puset duke i lënë pa ujë.

"Vënë gardhin në derë të shtëpisë, ikni ju dhe të rrimë ne. I shkulin ullinjtë. E kanë mbushur me dhe e inerte. Puset i kanë marrë".

"I bëjmë thirrje shtetit të na ndihmojë, të mos na ofrohet landfilli më afër. Nuk kemi ujë, rruga është prishur."

"Të japin përgjigje sa do të zgjerohet landfilli, kemi frikën e shtëpive."

Pavarësisht se kanë shumë muaj që protestojnë nga instituconet shtetërore dhe landfilli nuk ka pasur asnjë reagim, prandaj thirrja e tyre shkon sërish për ta që të shikojnë kërkesat e tyre me përparësi.