Tërmeti e pandemia, Karabina: Sistemi parauniversitar do të prodhojë nxënës me defiçenca të mëdha
Në një intervistë për Ora News, ish-ministra e Arsimit, Mirela Karabina u shpreh se kur ndodhi pandemia dhe u kërkua mësimi online, universiteti ishte i papërgatitur dhe u hasën shumë vështirësi.
Karabina tha se sistemi parauniversitarë do të prodhojë nxënës me defiçenca të mëdha për shkak të tërmetit dhe pandemisë.
Karabina: Kur ndodhi pandemia dhe u kërkua mësimi online, universiteti ishte i papërgatitur dhe u hasën shumë vështirësi. Universiteti pati një lehtësi pasi kishte studentë të rritur që e kishin më të lehtë që të futeshin online. Duke qenë se nuk ka një platformë të instaluar më parë dhe mungesë investimi, rrjeti nuk funksionin kur futen shumë studentë dhe ka probleme. Sistemi parauniversitar mendoj se është i humbur, ndërsa ai universitar nuk është në cilësinë e duhur, por po përpiqemi. Sigurisht që mungon praktika dhe kontakti me mjetet. Sistemi parauniversitarë do të prodhojë nxënës me defiçenca të mëdha për shkak të tërmetit dhe pandemisë.
Sistemi arsimor ka pësuar goditje nga dy ndodhi të vitit të kaluar që ishte tërmeti dhe pandemia. Do të ketë pasoja afatgjata, pasi këto vite janë humbur me boshllëqe. Fëmijët që janë futur në klasë të parë apo të dytë janë shumë të veçantë pasi nuk kanë atë pavarësinë në të menduar. Atyre po u krijohet një boshllëk social, psikologjik e intelektual tek ata. Qeveria nuk e ka në dorë tërmetin apo pandeminë, por që të investonte në infrastrukturë që të zhvillohej mësimi online. Për këtë duhen klasa online dhe mësues të përgatitur. Unë nuk e di se sa në këta 4 muaj që ka filluar shkolla ka pasur mësim nga nxënësit.
Karabina shtoi se rritja prej 15% e rrogave e mësuesve është një lëmoshë, pasi në 7 vite me gjithë inflacionin, rritje është rreth 8%.
Karabina: Rroga nuk do të rritet 15% sikurse ka thënë qeveria. Kryeministri dhe ministrja e Arsimit gënjejnë mësuesit shqiptar, pasi rroga në 7 vite nuk është rritur. Kur dihet që në qeverinë e shkuar rrogat e tyre u rriten me 120%. Kjo është një tallje me varfërinë e mësuesve shqiptar. Ministrja e Arsimit në formimin e saj është ekonomiste dhe e di mirë kur përdor shifrat. Ajo thotë se rroga në vitin 2107 është rritur 10%. Në vitin 2019 është rritur 7% dhe tani do të rritet me 15%. Në fakt në gjithë këto vite është rritur 8%, dhe përfshirë me inflacionin është një rritje shumë më e vogël. Kjo është një lëmoshë që bëhet para zgjedhjeve.