UÇK, priten arrestime të reja

Analistët në Prishtinë presin që edhe në 2021-in, Gjykata Speciale e vendit do të vazhdojë me arrestimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Salih Mustafa, ish-shefi i Inteligjencës i njohur gjatë luftës si komandant Cali, ishte i pari që u arrestua më 24 shtator nisur nga pretendimet për krime lufte.

Operacionet e EULEX-it vijuan me burgosjen e krerëve të organizatës së veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të akuzuar se publikuan detaje nga dosjet e Gjykatës Speciale në Hagë, të siguruara në mënyrë anonime.

Bastisjet nuk u ndalën, dhe më 4 nëntor, hetuesit e Speciales shoqëruan ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, një ditë më vonë edhe ish-presidentin e dorëhequr, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli dhe shefin e deputetëve të "Vetëvendosjes", Rexhep Selimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar që dosja paragjyqësore ndaj ish-udhëheqëjes së UÇK-së të dorëzohet në muajin korrik që gjyqi të fillojë pastaj në shtator 2021.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, dhe avokati, Kushtrim Palushi, thonë e mbrojtja duhet të ketë më shumë kohë për të kryer hetimet e veta.

Konferencat mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve do të vazhdojnë prej 8 janarit, ku mbrojtja pritet të kërkojë edhe lirimin e përkohshëm të të akuzuarve.

Veteranët e UÇK-së vazhdojnë të kundërshtojnë Dhomat e Specializuara në Hagë duke thënë se duhet të gjykohen më së pari krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë.