Bojkoti i kampionatit/ A tradhëtoi qeveria? Duka: Në fund të vitit duhet të kishim të paktën një fond për sportin

Gjatë intervistës së tij për “Ora Sport”, presidenti I FSHF Armand Duka foli edhe për bojkotin e klubeve të Superligës dhe nisjen me vonesë të sezonit futbollistik në vend.

“Kemi patur disa hapa përpara por politikat shtetërore të zhvillimit të sportit në Shqipëri jo vetëm që nuk kanë qenë në fokuse dhe prioritete por kanë qenë pothuajse inekzistente. Dhe gjatë vitit 2020 ne kemi patur edhe një zhvillim në formë proteste nga ekipet e Kategorisë Superiore për të kërkuar një ndryshim, një shtrat ligjor i cili do të përmirësonte zhvillimin e sportit dhe futbollit në vençanti", u shpreh Duka.

Nuk shohim të mbahet premtimi, ndjeheni të tradhëtuar?

Armand Duka: Unë e kam thënë qëndrimin tim që në fillim. Kam qenë absolutisht në mbështetje të të gjitha kërkesave. Madje sporti ka nevojë për më shumë gjëra nga sa janë kërkuar. Disa nga kërkesat e Ligës janë keqinterpretuar ose keqpërdorur për arsye politike, për të thënë ka të drejtë apo jo Liga. Realisht janë kërkesa të drejta. Janë bërë disa demagogji nga disa personazhe politikë. Në asnjë rast nuk kanë pse mendojnë se i kanë mashtruar përfaqësuesit e sportit apo përfaqësuesit e Ligës sepse në një mënyrë kanë mashtruar veten e tyre se sporti nuk është as për përfaqësuesit e Ligës as për presidentët e klubeve, por sporti dhe futbolli janë për fëmijët tanë, për atë çfarë ne do tu lemë atyre. Dhe çfarë baze do tu ndërtojmë ne atyre për ta parë të ardhmen e vetë këtu.

Realisht nuk kemi asnjë reagim pozitiv. Me gjithë premtimet që na janë bërë nga qeveria që në fund të vitit do të kishim të paktën një fond për sportin, i cili nuk ekziston në Shqipëri. Uroj në të ardhmen të mendojnë ndryshe. Mos e mendojnë si një luftë me presidentë apo përfaqësues klubesh por ta mendojnë si një detyrim ndaj të ardhmes së Shqipërisë , për të ardhmen e fëmijëve që duan të luajnë futboll.

Ndërkohë që pas komunikimit të fundit që keni pasur me kryeministrin Rama ku edhe u vendos nisja e kampionatit, grupet e punës e ngritura realisht kanë punuar? Ka pasur takime të tjera?

Armand Duka: Pas premtimit të fundit që kemi pasur nga kryeministri, të gjitha gjërat janë ndërprerë, nuk na ka dhënë përgjigje askush për të bërë asgjë nga ato që janë premtuar. Jemi përpjekur në mënyra të ndryshme dhe të gjithë drejtuesit e Ligës në njëlloj mënyre na janë rikthyer ne, sepse ne i bëmë thirrje që të rikthehemi në garë sepse qeveria do të ribëjë. Dhe na janë rikthyer në njëlloj mënyre si prishës të asaj proteste apo atij programi.

Cilat do të jenë format e reagimit tani? Sepse u përjashtua bojkoti por u tha se do të ketë një tjetër formë reagimi nga klubet.

Armand Duka: Nuk mendoj se mund të jemi gjithmonë në vesh të shurdhër. Unë uroj që dikush të dëgjojë dhe dikush të reflektojë. Të bashkëpunojmë sa më parë për të mirën e futbollit, për të bërë ato ndryshime ligjore që i kemi thënë disa herë, të domosdoshme për të ardhmen e sportit në Shqipëri, për të siguruar një infrastrukturë minimale. Ne kemi deklaruar, ka kohë, që të ndërtojmë 100 fusha futbolli në Shqipëri. Dhe kjo nuk do të thotë që të ndërtosh 100 fusha futbolli dhe ne duhet të jemi vendi më i lumtur për futboll, por kjo do t’i jepte një hop të rëndësishëm zhvillimit të futbollit. Edhe po të shohësh, infrastruktura jonë ndër vite ka ardhur në ulje, në vend se të jetë grafiku në rritje dhe për të pasur më shumë, ne e kemi deklaruar këtë projekt, kemi kërkuar të na mbështesë edhe qeveria. Nga i cili të financojmë ne nëpërmjet donatorëve ndërkombëtarë, qeverisë, aplikuesve vendas për të bërë fusha të reja futbolli. Por qeveria e ka refuzuar, kjo nuk do të thotë që ne do ta lëmë. Atëherë ne do ta financojmë përsëri këtë projekt. Çdo njeri, individ, privat, bashki, klub, çfarëdo që të jetë dëshiron të ndërtojë një fushë futbolli, mund të aplikojë në Federatën e Futbollit dhe ne do të financojmë 50% të atij projekti. Tani, kur një Federatë kaq e vogël, e brishtë, me kaq pak aktivitete mund të financojë një aktivitet të tillë, a nuk mundet edhe qeveria të financonte 30% të këtij projekti? 5% minimumi? Por thjesht vetëm një përgjigje negative.

/a.r,OraNews