S’ka më shtyrje për Olimpiadën e Tokios, hyn në histori si më e shtrenjta
Nuk ka më shtyrje për Lojërat Olimpike të Tokios, ato do të hapen më 23 korrik. Kryeministri japonez Suga e quajti olimpiadën simbol global solidariteti. Olimpiada e Tokios do të hyjë në histori si më e shtrenjta, pasi kostoja u rrit me 28 miliardë dollarë për shkak të masave anti-Covid.
Lojërat e shtyra olimpike dhe paralimpike të Tokios do të zhvillohen këtë verë sipas parashikimit, tha kryeministri i vendit, Yoshihide Suga. Olimpiada do të fillojë më 23 korrik dhe një muaj më pas do të hapen edhe Lojërat Paralimpike.
Rastet e reja të infektimeve me koronavirus janë rritur ditët e fundit në Japoni, me rreth njëmijë raste ditore vetëm në kryeqytetin Tokio.
Por kryeministri Yoshihide Suga siguroi se lojërat "do të mbahen këtë vit" dhe do të jenë "të sigurta".
Japonia është duke u përpjekur për të vendosur nën kontroll rastet me variantin e ri të koronavirusit që u identifikua së pari në Britani. Guvernatorja e Tokios Yuriko Koike paralajmëroi se numri i infeksioneve të reja mund të shpërthejë.
Në ditën e fundit të 2020-s Tokioja regjistroi 1,337 raste të reja.
Kostoja e organizimit të Lojërave Olimpike është rritur me rreth 2.8 miliardë dollarë për shkak të masave që do të merren nga organizatorët për të ndaluar përhapjen e virusit. Këto do të jenë lojërat më të shtrenjta në historinë e olimpiadës.
Një sondazh i zhvilluar nga televizioni publik NHK tregoi se shumica e japonezëve janë kundër zhvillimit të Olimpiadës në vitin 2021 dhe mbështesin shtyrjen e mëtejshme të veprimtarisë më të madhe sportive botërore.
Kryeministri Suga tha se olimpiada do të zhvillohet sipas planit në mënyrë që ajo të shërbejë si "simbol global i solidaritetit".