Shqipëria do ndihmojë Kosovën me vaksinat e para për mjekët e spitalit Covid në Prishtinë

Mjekët e spitalit covid në Prishtinë do të vaksinohen në  të njëjtën kohë me mjekët e spitaleve covid në Tiranë.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për median mesditën e sotme ku njoftoi se Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës, dhe 10 mijë të parat do të mbërrijnë në fillim të javës së tretë të janarit.

“Kosovës do i dhurohet një sasi për bluzat e bardha të spitalit Covid të Prishtinës. Ata do të vaksinohen në të njëjtën kohë me mjekët e spitalit covid në Tiranë.

I kam kërkuar ministres së Shëndetësisë të komunikojë menjëherë me homologun  në Kosovë për të vendosur sasinë e mundshme për personelin e spitalit covid të Prishtinës. Sado që nuk jemi të pasur dhe as nuk e kemi kaluar në këtë det ku vazhdojmë të ecim në këmbë ne shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet ta kemi kurrë kthimin e shpinës ndaj tjetrit në nevojë apo kur na bie i njëjti hall.” u shpreh Rama.

BE dha shembull të keq

Shprehu hapur keqardhje për qëndrimin e BE-së karshi Ballkanit në këtë situatë të vështirë pandemie.

Edi Rama: "Ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit, ne nuk do t’ia kthejmë shpinën Kosovës duke e lënë në pritje dhe në ankthin torturues të fillimit të vaksinimit. Padiskutim nuk ia zgjidhim krejt këtë hall të madh motrave dhe vëllezërve tanë përtej kufirit por nuk do të ngurojmë tua qajmë sinqerisht dhe konkretisht hallin që sapo kemi nisur të zgjidhim për vete."