Anëtarët e rinj të Kushtetueses, Meta: Mos u bëni vegla politike, do ishte në turpin tuaj
Mazhoranca ka tentuar të kapë të gjitha institucionet në vend. Kjo nuk është një akuzë, por fakt.
Kështu është shprehur presidenti I Republikës Ilir Meta gjatë intervistës së tij për Ora News.
Sipas presidentit, nëse anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese do të bëheshin vegla politike, kjo do të ishte në turpin e tyre.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Ju thoni se mazhoranca ka tentuar të kapë të gjitha institucionet në vend?
Presidenti Meta: Ky është fakt. Nuk kemi të bëjmë me një akuzë, kemi të bëjmë me fakte dhe me prova.
Pyetje: Dhe referuar kësaj a mendoni se anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese do të justifikojnë me paanshmërinë e tyre të gjitha situatat e diskutueshme politike dhe çështje teje të rëndësishme?
Presidenti Meta: Unë i inkurajoj që të bëjnë këtë gjë dhe asgjë tjetër, sepse do të ishte në nderin dhe dinjitetin e tyre për të demonstruar integritet. Ashtu sikurse do të ishte në turpin e tyre që të bëheshin vegla politike, vegla partiake apo të grupeve të interesave që dëmtojnë një interes kombëtar, një interes publik. Ata janë betuar me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe shpresoj që ky të ketë qenë një betim i sinqertë, të cilin në fund fare do ta konfirmojë koha.
Pyetje: Zoti President, sipas ndryshimit të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, në një çështje nuk arrihet numri prej 5 votash, kërkesa do të konsiderohet e rrëzuar edhe pse nuk arrihet të merret një vendim. Sipas kësaj, a mendoni që fakti i ndarjes së madhe mes jush dhe mazhorancës, nëpërmjet parlamentit, do të ndikohet apo do të përdoret si mekanizëm ligjor, për rrëzimin e shumë kërkesave për çështje tepër të rëndësishme, pa pasur një vendim?
Presidenti Meta: Prandaj unë nuk kam qenë entuziast për të thënë që Gjykata Kushtetuese është funksionale. Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale, kur ajo të ketë 9 anëtarë dhe të jetë në gjendje, që jo vetëm të marrë vendime, por të marrë vendime të drejta në interes të popullit shqiptar dhe të qytetarëve shqiptarë.
Pyetje: Gjykata Kushtetuese thamë që do të jetë e plotë pasi të plotësohet me 9 anëtarët e saj. Por dhe me tre anëtarë që zgjedh Gjykata e Lartë. Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor duket sikur nuk ka pasur angazhim serioz, madje duket sikur nuk do të ngrihet Gjykata e Lartë.
Atëherë Ju, si Kryetar i Shtetit, si e shikoni pozitën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe bllokimin e pashpjegueshëm për ngritjen e Gjykatës së Lartë?
Presidenti Meta: Besoj se Ju, jeni në dijeni të komunikimeve të mia zyrtare të bëra dhe publike, jo vetëm për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në mënyrë të vazhdueshme, për t’i dhënë fund vonesave për çështjen e kandidaturave, për vakancat dhe për renditjen, por, në mënyrë të vazhdueshme komunikimet e mia kanë qenë zyrtare edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor, edhe për çështjen e Gjykatës së Lartë, me qëllim bërjen e saj funksionale sa më parë.
Pasi në radhë të parë Shqipëria e ka të domosdoshme këtë gjykatë, që ta ketë sa më shpejt funksionale, se janë me dhjetëra e mijëra dosje që presin për t’u shqyrtuar. Dhe kjo është një kosto shumë e madhe për vendin tonë, për qytetarët, për ekonominë tonë.
Dhe së dyti, sepse patjetër që një e treta e Gjykatës Kushtetuese, do të zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe kjo padyshim e bën funksionalitetin e Gjykatës së Lartë edhe më të rëndësishëm, edhe më emergjente.
Pyetje: Nëse do të vijojë i njëjti proces vonese dhe ngërçi të krijuar, a do të duhet që të nxirren përgjegjësitë e Këshillit të Lartë Gjyqësor? Çfarë hapash do të ndërmerrni Ju më pas, brenda kompetencave si garant i Kushtetutës?
Presidenti Meta: Unë kam bërë dhe do të bëjë të gjitha hapat e duhur për t’i nxitur të gjitha institucionet të mos ndikohen nga politika, të mos bëhen pjesë e lojërave të saj për zvarritjen e krijimit të institucioneve të reja, në mënyrë kushtetuese dhe në mënyrë të ligjshme.