9 mld lekë për Sulo Shehin, qytetarët e Vlorës: Kompensimi i fryrë, prapë do vjedhin nga lekët tona?
Të fryrë dhe me hije dyshimi për abuzime e konsiderojnë banorët e Vlorës fondin prej afro 9 miliard lekësh që do të paguajnë taksapaguesit shqiptar për shembjen e një objekti 15 katësh në qendër të qytetit. Hoteli 15 katësh në pronësi të biznesmenit, Sulo Shehi, do të rrënohet për ti hapur rrugë projektit për Sheshin e Flamurit, tender i cili është klasifikuar me probleme.
Agjensia e Zhvillimit të Territorit ka miratuar projektin për Sheshin e Flamurit, duke zyrtarizuar shembjen e këtij objekti 15 katësh në qendër të Vlorës.
Ndërtesa në pronësi të biznesmenit, Sulo Shehi, sipas marrëveshjes së dakordësuar dhe miratuar në këshillin Bashkiak të Vlorës do ti kushtojë 8.9 miliard lekë taksapaguesve shqiptarë.
Qytetarët e Vlorës e konsiderojnë të fryrë shifrën.
"Jam i bindur që ky pallat nuk ka kushtuar kaq."
"Nga lekët tona akoma do të na vjedhin këta, është gjynah."
Madje, hedhin dyshime për afera korruptive në përllogaritjen e vlerës reale se objektit që nuk u vu kurrë në funksion.
"Patjetër që ka korrupsion."
"Është gjynah që lekët e popullit të harxhohen kot."
Thonë se me aq para në Vlorë mund të bëhen shumë investime në interes publik.
"Mund të ndërtoheshin pallate sociale për të gjithë ata njerëz që janë rrugëve, pa shtëpi, ose mund të rikonstruktoheshin disa rrugë në fshatrat e Vlorës që po vuajnë në kushte mjerane."
Fondi për rikualifikimin e Sheshit të Flamurit, përfshirë kullën e Sahatit, shkon në 698 mln lekë.
Ky tender është kualifikuar me Flamur të Kuq nga OPEN Data për shkak të skualifikimit të gjithë operatorëve përveç fituesit.