80 vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës, përkujtohet nga Provinca Françeskane

Pandemia i kufizoi, por nuk e pengoi Provincën Françeskane në Shkodër, asaj të cilës i përkiste të përkujtonte në 80 vjetorin e ndarjes nga jeta, at Gjergj Fishtën, poetin e madh shqiptar.

Vargje dhe këngë të shkruara prej tij erdhën të interpretuara nga të rinjtë e shoqërisë Illyricum.

Brenda kësaj kishe janë të vendosura një pjesë e relikeve që u gjetën të homerit shqiptar, të cilit regjimi komunist i treti eshtrat.

Këtë fakt e preku në fjalën e tij drejtuesi i kishës Françeskane at Aleksandër Tanushi, për të treguar se diktatura komuniste klerin e përndoq jo vetëm për së gjalli.

"Kleri u fye, u shty, u arrestua dhe u presekutua. Jo vetëm për së gjalli por edhe i vdekur."

Duke folur për vlerat letrare të Homerit të Shqipërisë, At Tanushi tha se vendi ynë sot ka nevojë për njerëz patriot e që e duan me zemër atdheun, por fatkeqësisht i mungojnë në shumë raste.

"Shqiptarët që e drejtojnë me përkushtim dhe zemër, e vullnet, ndonjëherë kam frikë se edhe mungojnë."

At Gjergj Fishta ndërroi jetë, në 30 dhjetorin e 1940, duke i lënë Shqipërisë një pasuri të çmuar që e dëshmoi jo vetëm në fushën e letersisë e gjuhës shqipe, por edhe si patriot e politikan.

Ai ishte kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921.