Përplasje për kufirin me Greqinë, Meta: S’do të lejoj askënd ta cënojë vendin; Rama: Zgjerimi 12 milje, jo me Shqipërinë
Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama u përfshinë në replika lidhur me vendimin e fundit të greqisë për zgjerimin e hapësirës detare me 12 milje. Kreu i Shtetit akuzon se vendimi për ndërprerjen e bisedimeve është bërë pa asnjë konsultim. Meta thekson se nuk do të lejojë cënimin e interesave të vendit. Deklarata e Kreut të Shtetit shkaktoi reagimin e kryeministrit Rama, i cili theksoi se nuk ka marrëveshje me Greqinë dhe se zgjerimi me 12 milje nuk mund të zbatohet në rastin e Shqipërisë.
Shtrirja me ligj të ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje, ka sjellë një tjetër përplasje mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Me anë të një statusi në facebook, Kreu i Shtetit garanton qytetarët se nuk do të lejojë askënd të cënojë interesat e shtetit shqiptar.
Meta: I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.
Kreu i Shtetit, Ilir Meta, duke kujtuar plotfuqishmërinë e dhënë qeverisë në vitin 2018 për negociata me Greqinë për kufirin, shprehet se nuk ka ansjë njoftim zyrtar që ky proces ka përfunduar.
Meta: Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare. I rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare.
Presidenti nënvizon faktin se në këtë proces do të jetë bashkëpunues, por kujton qeverisë shqiptare sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese në 2010.
Qëndrimi i mbajtur nga Presidenti ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit e vërteta është e qartë si drita e diellit: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje e prandaj do shkojnë në gjyq.
Sipas Ramës, vendimi në fjalë i Greqisë s'ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur.
Rama kujton se sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë.
Një ditë më parë në Greqi hyri në fuqi dekreti presidencial për shtrirjen me 12 miljë në det, teksa kryeministri Rama ka deklaruar se çështja zgjidhet në gjykatën ndërkombëtare.