Tender 7.8 mld lekë “në ajër”, Bashkia Tiranë hap procedurën për rehabilitimin e rrugëve pa asnjë detajim
Bashkia e Tiranës ka hapur një tender prej 7.8 miliardë lekësh, por pa dhënë detajime se në cilat rrugë do të investohet. Në dokumentin 94 faqesh flitet për kritere dhe përgjithësohen zonat, teksa është vetë Bashkia që do të përzgjedhë pjesëmarrësit.
Katër muaj para zgjedhjeve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shpallur një tender me vlerë mbi 7.8 miliardë lekë.
Ky prokurim ka si objekt rehabilitimin e infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për ndërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Por edhe këtu nuk mungojnë çuditë. Dokumenti voluminoz prej 94 faqesh sqaron kritere dhe procedura por, nuk ka specifikime për punën që do të kryejë subjekti fitues, sa metër apo kilometër rrugë do të bëjë, si apo ku do të realizohet investimi.
Në një prej shtojcave, vendoset në mënyrë përgjithësuese zona, si në “Kombinat”, njësia administrative nr. 4 dhe 8, zona “5 Maji”, “Zall-Herr”, “Vaqarr”, “Pezë”, “Ndroq”, “Baldushk” dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Për më tepër do të jetë autoriteti kontraktor, që në këtë rast është Bashkia e Tiranës që do të përzgjedhë cila kompani është e përshtatshme për të marrë pjesë ose jo.
"Marrëveshja kuadër do të zbatohet me dërgimin e ftesave për ofertë tek operatorët ekonomikë, palë në marrëveshje".
Një tjetër specikim i çuditshëm është edhe fakti se Autoriteti Kontraktor ka të drejtë të kërkojë më pak apo më shumë objekte se sa ato të parashikuara.
Por edhe koha e vënë në dispozicion është tejet e shkurtër.
Pavarësisht festave të fundvitit, procedura me fond rreth 70 milionë euro është hapur në 23 dhjetor dhe do të mbyllet në 6 janar.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike kohëzgjatja e kësaj kontrate është jo më shumë se 4 vite.