Bombol gazi e gërshërë në dorë, i riu me probleme të shëndetit mendor alarmon Vlorën, policia e neutralizon me gaz lotsjellës

Një 28-vjeçar i identifikuar si person me probleme të shëndetit mendor, alarmoi Vlorën pas mesdite pasi kërcënoi se do të shpërthente një bombol gazi. Ai u netralizua nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që përdorën gazin lotsjellës.

Një 28-vjeçar i identifikuar nga Policia si person me probleme të shëndetit mendor shkaktoi minuta paniku në Vlorë, ku kërcënoi se do të shpërthente një bombol gazi në një lokal.

Arsen Goga, ishte denoncuar nga banorët e lagjes “Lef Sallata” se po krijonte probleme, ndërsa mbërritja e policisë e komplikoi situatën.

28-vjeçari qëndroi i izoluar aty për disa minuta me një palë gërshërë në dorë dhe kërcënime të vazhdueshme se do të shpërthente bombolën e gazit.

Pas dështimit të negociatava, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë përdorën forcën dhe gazin lotsjellës për ta neutralizuar.

Policia thotë se 28-vjeçari u shoqërua në Spitalin Psikiatrik Vlorë për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Fatmirësisht gjithçka u mbyll pa pasoja, por situata e krijuar në Vlorë rikthen edhe një herë në qendër të vëmendjes alarmin për kontrollin e personave me probleme të shëndetit mendor që ndër vite janë bërë protagonist të ngjarjeve të rënda.

Ora News e përcolli ngjarjen minutë pas minute

14:31 - Merr fund brenda pak minutash tentativa e një të riu në qytetin e Vlorës, i cili u mbyll në një dyqan dhe kërcënonte se do të vetëflijohej.

I riu, me probleme të shëndetit mendor, kishte lidhur një bombul gazi me derën e dyqanit dhe mbante në dorë një mjet prerës.

Ndërhyrja e Policisë dhe FNSH ishte e menjëherëshme duke neutralizuar dhe shoqëruar në polici të riun, ende i paidentifikuar.

https://youtu.be/Kc2fSIxROXY

14:11 - Në ndjekje nga policia, i riu mban peng dyqanin: Do vetësakrifikohem

Një i ri në qytetin e Vlorës, i cili ishte në ndjekje nga policia, është futur në një dyqan dhe kërcënon me vetësakrifikim.

Informacione nga vendngjarja tregojnë se, ai ka lidhur bombulën e gazit me derën e shtëpisë në mënyrë që të ndalojë futjen e policisë apo daljen jashtë banese të ndonjë prej familjarëve.

I riu dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po negocion me të riun për të dorëzuar, raporton Ora News.

Drejt vendngjarjes dhe po shkojnë dhe forca të specializuara, ndërsa ngjarja po zhvillohet në zonën e njohur si Tregu i Orizit, në lagjen "Isa Boletini".

https://youtu.be/ou3c_wDWsNk