Krishtlindje kovidiane: Shqiptarët mbyllen në shtëpi, rrugët bosh nga 20:30 - 06:00
Mbrëmjen e sotme ka hyrë në fuqi ligji i ri për zgjatjen e orës policore për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në kuadër të masave anticovid.
Që prej ditës së sotme çdo gjë do të paralizohet në të gjithë vendin pas orës 20:30 të mbrëmjes, një vendim që Komiteti Teknik i Ekspertëve do ta zgjasë deri më 4 janar të 2021.
Pavarësisht masave të marra që qarkullimi të ndalohet pas orës 20:30, Tirana është në një mbrëmje normale. Automjetet dhe njerëzit nuk janë shqetësuar për masat e reja të marra, ndërkohë që bizneset rezultojnë të mbyllura.
Në Fier qytetarët kanë zgjedhur të lëvizin deri në kufinjtë e kohës kur nis edhe ndalimi i qarkullimit sipas orës policore.
Sakaq në Vlorë mesha e Krishlindjeve është mbajtur rreth orës 19:00 për t’i dhënë kohë dhe mundësi besimtarëve të shmangin shkeljen e orarit. Qytetarët kanë respektuar masat e rrepta të vendosura për shkak të pandemisë, ndërkohë që shumica e tyre janë lutur jashtë ambienteve të kishës. Sakaq vlonjatët janë munduar të respektojnë edhe orarin policor, duke shmangur qarkullimin në qytet.
Edhe në Korçë është mbajtur mesha në Katedralen e qytetit, por nuk janë lejuar që të pranishëm në ambientet e brendshme të saj të jenë edhe qytetarët. Ndërkaq përsa i përket edhe respektimit të fashës orare, efektivët e policisë kanë dalë në patrullim për të këshilluar korçarët që të kthehen në shtëpi.
Edhe në Lezhë dhe Berat qytetarët kanë nxituar në drejtim të banesave.
Efektivët e policisë po bëjnë të mundur patrullimin për të rritur efektivitetin e zbatimit të masave, duke ngritur postoblloqe në rrugët kryesore.