Sëmundja e procesionares rrezikon tharjen e pishës së zezë në Krujë, mungojnë fondet për trajtim
Rreth 1500 hektarë pishë e zezë është prekur nga sëmundja e procesionares në Krujë, duke krijuar një situatë alarmante.
Sëmundja që ka ngritur në këmbë ekspertët mund të trajtohet me një insekt ose në mënyrë mekanike, por mungesa e financimeve nga qeveria ka bërë që mijëra hektarë pishë të shkojnë drejt tharjes duke krijuar një situatë të rëndë mjedisore për vendin.
Sëmundja ka prekur edhe parkun Kombëtar të Qafshtamës, ku po ndikon në turizëm pasi ajo krijon alergji te pushuesit.
“E kanë bërë problem edhe subjektet që janë në Qafshtamë, se nuk vijnë pushuesit se i japin alergji.”
Këtë vit sëmundja është bërë edhe më shqetësuese pasi ka arritur deri në lartësinë 1400 metër mbi nivelin e detit, ndryshe nga vitet e tjera që kishte shkuar deri në 1000 metër mbi nivelin e detit.
Më herët alarmin e kanë dhënë edhe ekspertët në Klos, ku më shumë se 400 hektarë pishë janë prekur nga sëmundja e procesionares.