Rehabilitimi i bulevardit "Zogu I"/ Bizneseve u heqin shkallët, rrezikojnë falimentin

Projekti për rehabilitimin e Bulevardit “Zogu i Parë” në Tiranë shkaktoi pakënaqësi tek bizneset aty.

Arsyeja janë mungesët e shkallëve për të cilën bizneset kanë gjetur një zgjidhje duke vendosur shkallë provizore .

Alfred Bala pronari i një fast-foodi denoncon punimet e zgjatura ndërsa thotë se biznesi i tij po shkon drejt falimentit.

“Po na çojnë drejt një shkatërrimi total. Nuk dimë se çfarë të bëjmë dhe ku të qahemi. Shkallët me ligj nuk prishen dot jo për 4 muaj, por as për 4 minuta, sepse pa shkallë nuk mund të punohet.Gra e fëmijë nuk hipin dot në dyqan dhe kthehen. Puna më ka rënë 80-90% minus.”

Alfredi thotë se ka bërë disa kërkesa në bashki për të gjetur zgjidhje, por deri më tani asgjë.

“Na kanë prishur shkallët dhe kanë ikur. Nuk japin asnjë përgjigje. Nuk po bëjnë punë publike.”

Tenderin për rehabilitimin e Bulevardit ‘Zogu i Parë’ e ka fituar Kompania "Fusha Shpk" ku përfshin rehabilitimin e bulevardit që nis në fund të sheshit ‘Skënderbej’ dhe përfundon te busti i Ahmet Zogut, te ish-stacioni i trenit.