Sulm terrorist në Kabul me objektiv një deputet, 9 viktima
Një makinë bombë që kishte në shënjestër një deputet afgan vrau në kryeqytetin afgan të dielën të paktën nëntë vetë dhe plagosi me dhjetëra të tjerë. Kabuli është përfshirë nga një valë e re dhune muajit e fundit pavarësisht përfshirjes së qeverisë dhe Talibanëve në bisedime për paqe.
Bomba e së dielës kishte në shënjestër deputetin Khan Mohammad Wardak, i cili siç raportojnë mediat vendore vetëm u plagos.
Ministri i Brendshëm Masoud Andrabi u tha gazetarëve se midis viktimave të këtij akti terrorist ka edhe gra e fëmijë.
Një burim i tha agjencisë së lajmeve AFP se makina bombë shpërtheu në perëndim të kryeqytetit.
"Ishte një shpërthim i fuqishëm që ka shkaktuar shumë dëme të banesave," shtoi burimi.
Pamjet televizive nga vendngjarja tregojnë të paktën dy makina të përfshira nga flakët, të rrethuara nga re të dendura tymi.
"Armiqtë e Afganistanit ndërmorën një sulm terrorist ndaj ligjvënësit Khan Mohammad Wardak. Sulmet terroriste ndaj civilëve dhe infrastrukturës do të rrezikojnë shanset për paqe," tha përmes një deklarate presidenti Ashraf Ghani.
Sulmet e fundit në Kabul janë marrë përsipër nga xhihadistët e Shtetit Islamik, por për sulmin e fundit askush nuk ka marrë përsipër autorësinë.