Pasaportat e BE që iu sekuestruan kuksianëve dyshohet se u prodhuan në Prizren, porositësit ishin....

Plot 19 pasaporta, 23 karta identiteti dhe 23 leje drejtimi të vendeve të ndryshme të Bashkimi Europian, që dyshohen të falsifikuara, janë kapur sot nga Policia e Lezhës.

Sipas dyshimeve paraprake, dokumentet false janë prodhuar në Prizren të Kosovës dhe po transportoheshin në Tiranë nga dy persona nga Kukës, të cilët u arrestuan.

Lavdrim Syla, 27 vjeç dhe Ruzhdi Hoxha, 39 vjeç, u ndaluan në hyrje të Rrëshënit.

Dokumentet e falsifikuara  u gjetën të fshehura në një makinë luksoze “Ford Mustang” me të cilën ata lëviznin drejt kryeqytetit.

Operacioni u shtri më tej në Kukës, ku gjatë kontrolleve në banesat e dy të arrestuarve janë gjetur sërish dokumente të falsifikuara.

Dyshimet janë se ata ua shisnin dokumentet personave që e kanë të ndaluar të futen në zonën Shengen, ose të ardhurve nga vende të tjera që po ashtu u ndalohet lëvizja e lirë.

Sipas policisë, hetimet për të zbuluar të gjithë rrjetin e kësaj veprimtarie të paligjshme dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në skemën e falsifikimit të dokumenteve të vendeve të BE është në vijim e sipër.

Në janar të këtij viti në Portin e Durrësit u arrestua drejtuesi i një autobusi të cilit iu kapën 12 dokumente të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti, karta shëndeti dhe karta banke të shtetit çek.

Ndërsa në vazhdimësi në pikat kufitare ka pasur raste të ndalimit të personave që kanë tentuar të dalin nga Shqipëria me dokumente të falsifikuara të vendeve të BE.